DETI MESDHE
✤ Det i oqeanit Atlantik, që shtrihet ndërmjet tre kontinenteve: Evropës, Azisë e Afrikës dhe ka sipërfaqen 2.5 milionë km2, thellësi mesatare 1500 m, dhe thellësinë maksimale 5120 m. Gjithë zona bregdetare e Shqipërisë në një gjatësi prej 477 km, laget nga ujërat e deteve Adriatik e Jon, që janë pjesë përbërëse e D. M. Në P nëpërmjet ngushticës së Gjibraltarit D. M. lidhet me oqeanin Atlantik; në L nëpërmjet Dardaneleve lidhet me detin Marmara e më tej, nëpërmjet Bosforit, me Detin e Zi; në JL me anën e kanalit të Suezit (i hapur më 1869) lidhet me Detin e Kuq dhe nëpërmjet tij me Oqeanin Indian.
Pjesa më e madhe e pellgut të D. M. shtrihet në trevën e vargjeve të rrudhosura alpine mesdhetare. Lartësimi i fundit të detit ndërmjet gadishullit Apenin në V dhe Afrikës në J e ndajnë në dy pjesë. Pjesa P e D. M. përfshin Detin Balear dhe detin Tirren, ndërsa pjesa L përfshin detin Adriatik, detin Jon dhe detin Egje, të cilët komunikojnë lirshëm me njëri-tjetrin duke formuar një tërësi të vetme ujore.
Ujëkëmbimi ndërmjet D. M. dhe oqeanit Atlantik kryhet nëpërmjet ngushticës së Gjibraltarit, që e ka gjerësinë 14-21 km dhe thellësinë maksimale 366 m. Si pasojë e kësaj thellësie të vogël ky ujëkëmbim është i pakët, rreth 55.000 km3 në vit. Kjo ka bërë që D. M. të jetë i ngrohtë, me temp. të ujërave 13-27°C, me bilanc ujor negativ, me avullim afro 2.5 herë më të madh sesa ujërat që bien në të, me kripësi të lartë 35.5-39.1 për mijë. Ujëkëmbimi i D. M. me Oqeanin Indian, duke pasur parasysh përmasat e vogla të kanalit të Suezit, nuk ka rëndësi praktike dhe nuk ndikon në bilanein e përgjithshëm ujor të D. M.. Si rrjedhojë D. M. është një det praktikisht i mbyllur nga pikëpamja hidrologjike dhe ripërtërijja e ujërave të tij nga ato të oqeanit Atlantik kryhet në një cikël të gjatë shumëvjeçar (rreth 81 vjet). Mesdheu është sot një nga detet më të papastra të Tokës dhe ndotja e tij është kthyer në një rrezik serioz për popujt e Pellgut Mesdhetar.
Meqenëse derdhjet e lumenjve në D. M. janë të pakta, ujërat e tij kanë tejdukshmëri deri 60-70 m, dhe ngjyrë të kaltër në blu. Procesi i përzierjes vertikale dimërore përfshin gjithë vëllimin e ujërave, nga sipërfaqja e deri në fundin e detit dhe prandaj në dimër në D. M. vërehet homotermi e plotë.
(N. P.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Deti Mesdhe