DEVSHIRMEJA


DEVSHIRMEJA
✤ Detyrimi i popullsisë së krishterë në Perandorinë Osmane për t’i dhënë pushtetit qendror një numër të caktuar fëmijësh si taksë e së «dhjetës së gjakut». Grumbullimi i fëmijëve bëhej me dhunë çdo 3-5 vjet nga nëpunës të posaçëm të pushtetit qendror. Fëmijët dërgoheshin në Anadoll ku i shpërndanin midis popullsisë me qëllim që të mësonin gjuhën, zakonet e vendit, fenë myslimane. Kur arrinin moshën madhore, i futnin në korpusin e jeniçerëve ose në shërbime të ndryshme në pallat. Ky detyrim çnjerëzor ishte shfaqje e politikës së diskriminimit të thellë kombëtar e fetar që ndiqnin osmanët.

D, u zbatua gjerësisht në viset shqiptare gjatë shek. XV-XVI, çër arsye se’ shfrytëzimi i forcave njerëzore për qellime ushtarake kishte për sundimtarët osmanë interes më të madh sesa shfrytëzimi ekonomik. Detyrimi u bë shpeshherë shkak për shpërthimin e kryengritjeve të fshatarësisë. Vetëm në raste të veçanta, kundrejt shërbimesh të caktuara në dobi të shtetit, janë përjashtuar nga ky detyrim aty-këtu disa fshatra. D. u hoq aty nga mesi i shek. XVII.

(S. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Devshirmeja


[cite]