DIBRA
✤ Krahinë gjeografike dhe etnografike në të dy anët e luginës së Drinit të Zinga grykëderdhja e përroit të Jablanicës (jashtë kufirit shtetëror) në J deri në grykëderdhjen e përroit Malla e Lurës dhe atij të Veleshicës në V. Përbëhet nga Dibra e Vogël (brenda kufirit shtetëror), që përfshin fushën e D. dhe malësinë e D. me qendër në qytetin e Peshkopisë dhe Dibra e Madhe, që banohet kryesisht nga shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoni, me qendër në qytetin e Dibrës (jashtë kufirit shtetëror). Bëjnë pjesë këto njësi etnografike: 9 Malet e Dibrës (me 3 nëndarje), GoIloborda (me 4 nëndarje), dhe Lura nga e majta e luginës. Nga e djathta zona e Ujëmujes, Dibra e Poshtme, Shehri i Dibrës (pjesërisht jashtë kufirit shtetëror). Kurse zona e Koxhaxhikut, Dibra e Madhe, Reka e Poshtme dhe Reka e Sipërme shtrihen jashtë kufirit shtetëror. Fshatrat e D. dallohen për shkallë të lartë përqendrimi të banesave.

Pjesa kryesore e D. është lugina e Drinit të Zi (shih) dhe malet përreth. Është e ndërtuar prej rreshpesh, gëlqerorësh, evaporitesh, flishit dhe shkëmbinjsh magmatikë efuzivë paleozoikë e mesozoikë. Nga e djathta e luginës ngrihet kurrizi më i lartë malor i vendit ai i Korabit dhe malet e Stogovës, kurse nga e majta vargmalet Jablanicë-Arith-Runja e Lurës, që janë copëtuar nga grykat e luginat e shumta që përfundojnë në luginën e Drinit të Zi. D. ka klimë mesdhetare malore me dimër të ashpër e të lagët ahe verë relativisht të freskët. Rrjedhja ujore kryesore është Drini i Zi, me rezerva të mëdha energjetike. Bimësia përbëhet nga zona e dushkut (deri në 900-1100 m lartësi), e ahut dhe e kullotave alpine, kjo e fundit ka shtrirje të gjerë sidomos në vargun malor të Korabit e Stogovës (jashtë kufirit shtetëror). Qendrat kryesore të banimit janë: Peshkopia, Shupenza, Maqellara, Klenja, Zall-Dardha, Tomini, Kastrioti, Zerqani Muhuri etj. brenda kufirit shtetëror, si dhe Dibra e Madhe, Reka, Ballanca, Koxhaxhiku, Galëçniku, Rostusha, Kosovrasti, Zhirovnica etj. jashtë kufirit shtetëror.

Baza ekonomike e D. ka qenë në të kaluarën blegtoria e ndërthurur me bujqësinë. Praktikohej shtegtimi stinor: verës në bjeshkë të Korabit e të Sherit dhe dimrit në kullota të ulëta të Myzeqesë nga një anë dhe të Thesalisë nga tjetra. Krahina e D. është shquar për ndërtime banesash dhe gdhendjen e drurit. Emri diBran u bë sinonim me emrin murator, ata kanë bërë ndërtime në gjithë Ballkanin. Organizimi shoqëror mbështetej në kanunin e Skënderbeut, duke u dalluar për strukturën e tij patriarkale.

Në arkitekturën e banesave mbizotëronte tipi me teliza, por ndeshej edhe tipi i kullës. Për veshje përdorej guna e leshtë me ngjyrë natyrore, e cila te gruaj a ruhej deri vonë në përdorim, kurse burrat kanë mbajtur tirqe të një varianti të veçantë; pa prehër, me gji, me shpeka e me xhepa. Në artet e zbatuara bie në sy puna e dorës e gruas dibrane për qilimat e bukur artistikë, ndërsa burrat u shquan si gdhendës në të gjithë Shqipërinë. Në muzikën popullore D. kish një stil të lehtë e të ëmbël; përveç fyellit e çiftelisë, përdorej lauria, një variant i lahutës. Ndër kërcimet njihet një valle burrërore me sinkopime të thella. Pas Çlirimit krahina e D. brenda kufirit shtetëror ka ndryshuar rrënjësisht (shih: Dibra rrethi).

(Gj.G,—Rr.Z.)

✤ Qytet, qendër e komunës me të njëjtin emër në RS të Maqedonisë. Shtrihet në bregun e djathtë të Drinit të Zi e të degës së tij Radika, e rrethuar nga V prej maleve Velivar (2374 m) e Kërçin (2325 m). Sipas regjistrimit të v. 1981 në komunë jetonin 10 000 shqiptarë e 2 500 maqedonas. Për herë të parë përmendet në hartën e Ptolemeut (shek. II e.r.) me emrin Deburus. Më 1502 njihet si qendër e rëndësishme qytetare. Në vitet 30-40 të shek. XIX, D. me afro 8 400 banorë dhe 250 dyqane, ishte një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike të tregut të brendshëm shqiptar.

D. ka qenë një nga vatrat e qëndresës kundër pushtuesve të ndryshëm dhe dha një ndihmesë të veçantë në luftërat shqiptaro-osmane nën udhëheqjen e Skënderbeut. Qyteti dhe rrethet e tij luajtën një rol të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare të udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Këtu u mbajt edhe Kuvendi i D. (1878) (shih), që miratoi programin e Lidhjes.

Më 1899 u thirr Kuvendi i Dibrës, ku u vendos bashkimi me Lidhjen e Pejës. Me nismën e H. Vokrit më 1900 u hap shkolla e parë shqipe, ndërsa më 1908 filloi punën klubi «Bashkimi». D. dha ndihmesë të shquar në kryengritjen e përgjithshme antiosmane të v. 1912. Delegatët e saj morën pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës (1912). V. Agolli (shih) u zgjodh nënkryetar i qeverisë së parë shqiptare që doli nga kuvendi.

Popullsia e D u bëri qëndresë të fortë trupave pushtuese serbe në vitin 1912 dhe kundërshtoi aneksimin e kësaj krahine nga Mbretëria serbe. Në shtator 1913 u bë qendra kryesore e kryengritjes popullore antiserbe, që u përhap nga Gjakova deri në Ohër. Shkëputja e trevave lindore nga shteti kombëtar, terrori serbomadh i viteve 1913-1914, 1918-1920 dhe shtypja e gjithanshme i shkaktuan dëme të mëdha popullsisë shqiptare të këtyre viseve dhe qytetit. Me mijëra familje dibrane u detyruan të shpërngulen në Shqipërinë e mesme.

Gjatë Luftës II Botërore qyteti i D. ‘me 7400 banorë u përfshi në zonën italiane të pushtimit dhe u bë qendër e prefekturës që përfshinte edhe Tetovën, Gostivarin, Strugën, Kërçovën me 237 000 banorë gjithsej. Shqiptarët e D. të ndihmuar drejtpërdrejt nga PKSH dhanë një ndihmesë të shquar në organizimin e Luftës ANÇ në këto vise, në krijimin e organizatave të Partisë, të reparteve partizane dhe të organeve të pushtetit. Popullsia e D. mori pjesë në radhët e çetës e të batalionit të Dibrës, të batalionit të Rinisë e më pas të Brigadës së 7-të të UNÇ të Maqedonisë që përbëhej nga shqiptarë të Dibrës, Tetovës, Gostivarit etj. Nga shtatori aeri në nëntor 1943 D. ishte qytet i çliruar, ku pushtetin e drejtonte Këshilli Nacionalçlirimtar. Në shtator 1944 qyteti u çlirua përfundimisht nga repartet e UNÇSh.

D. është sot një nga komunat e prapambetura në RS të Maqedonisë. Bazë e ekonomisë është bujqësia. Ajo ka disa ndërmarrje të vogla ekonomike me karakter artizanal, ndërsa pranë qytetit është ndërtuar një hidrocentral.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Dibra


[cite]