DORUNTINA


DORUNTINA
✤ Heroinë e baladës së besës ose të vëllait të vdekur, në variantin arbëresh (ngritja e vëllait nga varri që të plotësojë premtimin, të marrë motrën e martuar larg e ta çojë në gjini). D. e sjell te nëna njëri prej nëntë vëllezërve, Kostandini. Në variante të tjera arbëreshe heroina del dhe me emrin Garentinë e Fjoruntinë.

Balada me këtë personazh është një nga krijimet më të lashta e më të bukura të folklorit shqiptar. Është një baladë gjithëshqiptare dhe paraqitet në dy tipa. Në tipin jugor, ku bën pjesë dhe varianti arbëresh, zotëron linja djalë-nënë, në tipin verior zotëron linja vëlla-motër. Nëntipat dhe variantet janë të shumta. Në malësinë e V, vëllai quhet Halil Garria. Në Shqipërinë VL dhe Qendrore vëllai quhet Ali dhe motra Fatë (ose Hysen i vogël dhe Merjeme). Në Shqipërinë J eshtë i përhapur varianti me heronj kryesorë Kostandinin (ose Gjinin) dhe Dhoqinën (Zarëza në Shpat, Marina në Përmet etj.). Balada është shumë e përhapur edhe te shqiptarët e Kosovës, të Malit të Zi e të Maqedonisë.

(J. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Doruntina


[cite]