ADMINISTRATA SHTETËRORE


ADMINISTRATA SHTETËRORE
✤ 1. Tërësia e sistemit të atyre organeve të aparatit shtetëror, të cilat Kushtetuta dhe ligjet i cilësojnë si organe administrative të RPSSH dhe i ngarkojnë me ushtrimin e pushtetit shtetëror në formën e veprimtarisë ekzekutive-urdhëruese. A. Sh. në këtë kuptim është aparati administrativ i RPSSH (shih). Bazat e para të A. Sh. të re u hodhën me formimin e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm NÇ, si organ ekzekutiv i këtij të fundit nga Konferenca II NÇ e Labinotit (1943).

2. Formë e veçantë nënligjore e ushtrimit të pushtetit shtetëror. A. Sh. në këtë kuptim është vetë veprimtaria ekzekutive-urdhëruese, që zhvillon aparati administrativ i RPSSH, në bazë të ligjeve e për zbatimin e tyre, për organizimin e drejtpërdrejtë praktik të realizimit të funksioneve të jashtme e të brendshme të shtetit të diktaturës së proletariatit. Elementet e para të A. Sh. në këtë kuptim shfaqen në veprimtarinë qeverisëse që zhvillonin gjatë Luftës ANÇ këshillat NÇ në territoret e çliruara.

(Z. B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Administrata Shtetërore


[cite]