AEROPORTI I TIRANËS
✤ Aeroporti kryesor në RPSSH për shërbimin ajror civil të brendshëm dhe ndërkombëtar. Ndodhet 30 km në VP të Tiranës, pranë fshatit Rinas. Ka pistë 2750 m. të gjatë dhe 65 m. të gjerë, rrugët anësore me gjerësi 18 m. që shërbejnë për lidhjen e pistës me vendqëndrimin e avionëve, ndërtesat e aeroportit etj. Trualli i pistës është i niveluar 40 m përtej buzës anësore të pistës dhe ka brez rezervë me gjerësi 60 m, në të cilin lejohen vetëm ulje të detyrueshme. Pista është e ndriçuar dhe lejon uljen e ngritjen e avionëve edhe natën.
A. i T. është i pajisur me mjetet e radio-navigacionit të sistemit të uljes së verbët, i vlefshëm për prurjen e avionëve nga rruga ajrore për në aerodrom, për fluturimin sipas hartës së afrimit instrumental, po ashtu edhe për uljen në pistë. Drejtimi i fluturimeve kryhet nëpërmjet kullës së aeroportit. Hyrja në A. e T. bëhet nëpërmjet një korridori të caktuar. Të dhënat meteorologjike për prognozën e kohës dhe kohën faktike jepen nëpërmjet organeve të ndërlidhjes. A. i T. u vu në shfrytëzim më 1958. Para kësaj kohe për uljen e ngritjen e avionëve të shërbimit civil përdorej një aeroport në hyrje të Tiranës.
(P. Ça.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Aeroporti I Tiranës