AKADEMIA E SHKENCAVE

  FESH


AKADEMIA E SHKENCAVE
✤ Institucioni më i lartë shkencor i RPS të Shqipërisë, në varësi të Këshillit të Ministrave të RPSSH. U themelua më 10.10.1972 me bashkimin e instituteve dhe sektorëve shkencorë që bënin pjesë në Universitetin e Tiranës, më pas u zgjerua me institute dhe sektorë të rinj shkencorë.

A. e Sh. me institucionet shkencore që përfshin, ka për detyrë të bëjë studime e kërkime për probleme të rëndësishme në fushat e shkencave shoqërore, natyrore dhe teknike. Në bashkëpunim me Komitetin e Shkencës dhe të Teknikës, organizon dhe bashkërendon veprimtarinë shkeneore në shkallë kombëtare; bashkëpunon me ministritë dhe qendrat e tjera kërkimore e mësimore, si edhe me ndërmarrjet e prodhimit, në mënyrë që forcat shkencore dhe arritjet e shkencave të përdoren me frytshmëri në përputhje me nevojat e ekonomisë dhe të kulturës, sipas orientimeve të PPSH dhe të Shtetit. A. e SIT. ka tri seksione: 1. Seksionin e shkencave shoqërore, ku bëjnë pjesë Instituti i Historisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Kulturës Popullore, Qendra e Kërkimeve Arkeologjike. Deri më 1982 përfshinte edhe Institutin e Studimeve Ekonomike, që pastaj kaloi në varësi të Komisionit të Planit të Shtetit. 2. Seksionin e shkencave natyrore, që përfshin Institutin e Fizikës Bërthamore, Qendrën e Matematikës Llogaritëse, Qendrën e Kërkimeve Biologjike dhe Sektorin e Gjeografisë. 3. Seksionin e shkencave teknike, që përfshin Institutin e Hidrometeorologjisë, Qendrën Sizmologjike dhe Laboratorin e Kërkimeve Hidraulike. Përveç këtyre Akademia përfshin Qendrën e Informacionit dhe të Dokumentacionit Shkencor e Teknik, Bibliotekën Shkencore, Sektorin e enciklopedisë shqiptare dhe Këshillin e botimeve.

A. e SH. ka 21 anëtarë dhe 5 anëtarë-korrespondentë. Organet drejtuese të saj janë: Asambleja dhe Presidiumi. Asambleja është organi më i lartë drejtues dhe përbëhet nga anëtarët dhe anëtarët-korrespondentë. Presidiumi është organ vendimor, që shqyrton problemet më të rëndësishme shkencore dhe organizative të Akademisë. Seksionet, si pjesë përbërëse të saj, janë organizma shkencorë dhe organizativë që përcaktojnë drejtimet e punës shkencore në fushat që mbulojnë, duke u mbështetur në direktivat e Partisë dhe në planet 5-vjeçare të zhvillimit të ekonomisë dhe të kulturës. Në përputhje me parimet marksiste-leniniste dhe të politikës së shtetit, A. e Sh. bashkëpunon me institucione shkencore të vendeve të tjera. Veprimtaria shkencore e A. së Sh. pasqyrohet në botime të veçanta dhe në revistat shkencore. Drejtpërdrejt nga Seksionet varen revistat «Gjuha jonë», «Studia Albanica» (shih) dhe nga institutet botohen:

Studime historike, Studime filologjike, Kultura popullore, Iliria (shih). Në këtë veprimtari përfshihen edhe seritë e botimeve: Etnografia shqiptare, Dialektologjia shqiptare (shih), Studime hidrologjike dhe meteorologjike, Punime të Institutit të Fizikës Bërthamore, Punime të Qendrës së Kërkimeve Biologjike, Buletin analitik referues (i Qendrës së Informacionit Shkencor e Teknik). (L. O. — A. D.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Akademia E Shkencave



Enciklopedia Shqiptare | Albanian Encyclopedia → "AKADEMIA E SHKENCAVE":

Cito
Lidhje - URL/LINK: https://wiki.shqipopedia.org/akademia-e-shkencave
"AKADEMIA E SHKENCAVE," tek Enciklopedia Shqiptare
____________________________

§ Shqipopedia © - Enciklopedia shqiptare
2013 - 2018