AKULLIMET
✤ Mbulimi i trevave të gjera nga akujt, si pasojë e ndryshimeve të klimës. Gjatë kuaternarit (shih) shquhen 4 epoka A: gyncian (1,6 milion vjet më parë), mindelian (300 000 vjet), risian (150 000 vjet) e vyrmian (80 000-90 000 vjet), të ndara nga epoka ndërakullnajore, me klimë më të ngrohtë. Sidomos gjatë A. risian akujt mbuluan edhe pjesët më të ngritura të trevës së rrudhosur alpine mesdhetare e të Albanideve (shih) veçanërisht shpatet L e V të maleve.
Gjatë A. u formuan depozitime akullnajore, sidomos morena të jashtme në risian dhe morena të brendshme në vyrmian, që vërehen sot në trevat malore me lartësi mbi 1800, veçanërisht në Alpet Shqiptare, Korab etj. dhe përbëhen nga popla e curra të përzier pa rregull me lëndë deltinore e ranore, që në disa raste formojnë një shtresë 20-25 m të trashë. Në Alpet Shqiptare, në Malësinë e Lurës etj. ka edhe depozitime liqenore-akullnajore. Në epokat ndërakullnajore u formuan terraca detare, gjurmë të të cilave vërehen në Bregdetin e Jonit.
A. kanë bërë edhe modelimin e truallit në mjaft vise të larta sidomos në Alpet Shqiptare, duke krijuar forma karakteristike të relievit. Ndër më tipiket janë luginat akullnajore, si e Vermoshit, e Bogës, e Valbonës etj., lugjet akullnajore si ato të Doberdolit, Sulbicës, Valit në Alpet Shqiptare dhe në vise të tjera të krahinave malore qendrore e jugore. Në këto vise sidomos në shpatet*VL e VP nga A. janë formuar edhe, cirqe të shumta akullnajore me përvijesa e përmasa të ndryshme, një pjesë e të cilave sot janë kthyer në liqene akullnajore (si në Jezercë, Doberdol, Shkëlzen, Lurë, Balgjaj etj.) ose janë zënë nga bora e përhershme (si në Korab, Radohinë, në Majën e Hekurave, Tomor, Çikë, Nemërckë etj.).
(A. P.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Akullimet