AKUMULIMI SOCIALIST


AKUMULIMI SOCIALIST
✤ Pjesa e të ardhurave kombëtare (shih) që përdoret për zhvillimin e pandërprerë të degëve të ndryshme të ekonomisë kombëtare, për mbajtjen dhe zgjerimin e sferës joprodhuese dhe për shtimin e rezervave shtetërore dhe të pronës së grupit. Këtyre drëjtimeve të përdorimit të A. S. u përgjigjen dhe tri format e tij: akumulimi prodhues, akumulimi joprodhues dhe akumulimi për rezerva. Pjesa kryesore e A. S. përdoret për zhvillimin e sferës prodhuese. Zbatimi i këtij parimi në përpjesëtimet midis këtyre tri formave të akumulimit ka rëndësi të madhe për ecurinë normale të riprodhimit të zgjeruar socialist, për plotësimin e nevojave në rritje të masave punonjëse dhe të mbrojtjes së vendit.

Në RPS të Shqipërisë rreth 60% e A. S. është përdorur për shtimin e fondeve themelore prodhuese. A. S. përbën një nga faktorët vendimtarë për zbatimin e parimit të mbështetjes në forcat e veta. Nga pikëpamja materiale, A. S. përbëhet në pjesën më të madhe nga mjete prodhimi dhe pjesërisht nga mallra konsumi. Ndërsa i shprehur në vlerë, ai përfaqëson pjesën më të madhe të produktit për shoqërinë.

(S. Ku.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Akumulimi Socialist


[cite]