ALABASTRI

  FESH


ALABASTRI
✤ Lloj i veçantë gjipsi (shih) kokrrizimtë, me strukturë sheqerore, me ngjyrë të bardhë të përhimtë ose të trëndafiltë, herëherë edhe të murrme deri në të zezë. Në Shqipëri A. gjipsor ndodhet në dy horizonte gjeologjike të evaporiteve (shih). Në horizontin më të vjetër me moshë penno-triasike në Zonën e Korabit dhe në Zonën Jonike ka A. të ngjeshur e me pamje sheqerore (Peshkopi, Zhulat e Fushëbardhë të Gjirokastrës, Dhrovjan, Kranë e Konispol të Sarandës, Smokthinë etj.). Në horizontin më të ri, me moshë miocenike, në Zonën Jonike ka A. herë-herë me pamje fijëzore (Vlorë, Kavajë, Maminas, Currilat e Durrësit etj.). Si shkëmb i butë (fortësia 2,2-2,7) A. punohet lehtë e merr shkëlqim dhe prandaj është përdorur si gur zbukurimi që në antikitet. Prej A. përgatiten sende zbukurimi, artikuj të përdorimit të gjerë etj., në ndërmarrjet e prodhimeve artistike. Në disa prej tyre janë ngritur reparte e fabrika të veçanta të A. (Tiranë, Peshkopi, Vlorë etj.). A. përdoret edhe për të prodhuar pllaka dhe pjesë të tjera për veshje të brendshme të ndërtesave.

(A. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Alabastri



Enciklopedia Shqiptare | Albanian Encyclopedia → "ALABASTRI":

Cito
Lidhje - URL/LINK: https://wiki.shqipopedia.org/alabastri
"ALABASTRI," tek Enciklopedia Shqiptare
____________________________

§ Shqipopedia © - Enciklopedia shqiptare
2013 - 2018