ALFABETI I GJUHËS SHQIPE
✤ Shqipja e shkruar iokumentohet që nga shek. XIV me alfabetin latin. Autorët e shek. XVI e XVII përdorën alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. Po këtë alfabet të plotësuar me ndonjë shkronjë greke, e përdorën edhe shkrimtarët arbëreshë. Shqipja u shkrua edhe me shkronja greke, për shkak të përdorimit të greqishtes si gjuhë e kishës ortodokse. Nën trysninë e islamizmit dhe të pushtuesve osmanë, në shkrimin e shqipes që nga fillimi i shek. XVIII u përdor edhe alfabeti turko-arab. Me të u shkruan krijimet letrare të «bejtexhinjve». Për shkrimin e shqipes, për të vënë në pah individualitetin e saj e të popullit tonë, u ndoq edhe një rrugë tjetër: ajo e krijimit të alfabeteve të veçanta. Nga shek. XVIII, mundet edhe më parë, u formuan disa alfabete të tilla. Orvatja më fatlume qe ajo e Teodor Haxhifilipit (fundi i shek. XVIII), shkrimi i të cilit pati një farë përhapjeje,
Në një frymë të re, thellësisht kombëtare e shtroi dhe e zgjidhi çështjen e alfabetit të shqipes ideologu i parë i Rilindjes sonë Naum Veqilharxhi (shih). Ai krijoi një alfabet të veçantë, të ndryshëm nga alfabetet e përdorura gjer atëherë, duke synuar që të ishte i njëjtë për të gjithë shqiptarët. Përpjekje të mëtejshme për caktimin e një alfabeti të përgjithshëm për shqipen u bënë në vitet 60 fë shekuliit të kaluar, si edhe më pas nga një grup atdhetarësh të shquar-K. Kristoforidhi, P. Vasa, H. Tahsini, J. Vretoja, S. Frashëri etj. Përpjekjet e tyre u kurorëzuan me sukses vetëm në kohën e Lidhjes së Prizrenit. Në fillim të v. 1879 u pranua alfabeti i parashtruar nga S. Frashëri, i bazuar në parimin «një tingull me një germë dhe një germë për një tingull». Ky alfabet, i njohur me emrin «alfabeti i Stambollit», u mbështet në alfabetin latin, duke u plotësuar me disa shkronja greke e me shkronja të tjera të veçanta. Ai u përhap gjerësisht dhe deri në fund të shek. XIX ishte alfabeti kryesor i Rilindjes sonë. Kur numri i botimeve shqipe u shtua dhe u zgjerua rrjeti i shtypjes së tyre, kushtet teknike dhe arsye të tjera bënë që të krijohen e të përdoren alfabete të ndryshme. Gjithnjë e më shumë u përdor alfabeti thjesht latin në variante të ndryshme, duke u plotësuar shkronjat e tij me digrame ose me shenja diakritike. Ndryshmëria e alfabeteve të përdorura në praktikën e botimeve erdhi duke u shtuar. Kjo gjendje e pakënaqshme mori fund me vendimin e Kongresit të Manastirit (shih) më 1908, i cili u shpreh për përdorimin e alfabetit të Stambollit dhe të një alfabeti latin që përpunoi ai vetë. Ky i dyti, që është pikërisht alfabeti i sotëm i shqipes brenda pak vitesh u bë alfabeti i përgjithshëm.
(M. D.)
Alfabeti “Bashkimi”: | A a | B b | Ts ts | Ch ch | D d | Dh dh | É é | E e | F f | G g | Gh gh | H h | I i | J j | K k | L l | Ll ll | M m | N n | Gn gn | O o | P p | C c | R r | Rr rr | S s | Sh sh | T t | Th th | U u | V v | Z z | Zh zh | Y y | X x | Xh xh |
Alfabeti i Stambollit: | A a | B b | C c | Ç ç | D d | Б δ | E ε | ♇ e | F f | G g | Γ γ | H h | I i | J j | K k | L l | Λ λ | M m | N n | И ŋ | O o | Π p | Q q | R r | Ρ ρ | S s | Ϲ σ | T t | Θ θ | U u | V v | X x | X̦ x̦ | Y y | Z z | Z̧ z̧ |
Alfabeti i Manastirit: | A a | B b | C c | Ç ç | D d | Dh dh | E e | Ë ë | F f | G g | Gj gj | H h | I i | J j | K k | L l | Ll ll | M m | N n | Nj nj | O o | P p | Q q | R r | Rr rr | S s | Sh sh | T t | Th th | U u | V v | X x | Xh xh | Y y | Z z | Zh zh |
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Alfabeti I Gjuhës Shqipe