ALERGOLOGJIA


ALERGOLOGJIA
✤ Degë e mjekësisë që studion sëmundjet alergjike dhe mënyrat e mjekimit të tyre. Alergjia është rritja ose ndryshimi i theksuar i ndjeshmërisë së organizmit kundrejt një lënde të huaj (alergjenit) që hyn në trupin ë njeriut qoftë edhe në sasi shumë të vogël. Me hyrjen e lëndës së huaj, shfaqen reagime të organizmit të rënda e të rrezikshme. Ndër sëmundjet alergjike më të përhapura janë riniti alergjik, astma bronkiale, urtikaria, ekzema etj. Lëndët e huaja mund të hyjnë nga ajri me frymëmarrjen (pjalmi i disa bimëve, pluhuri i shtëpisë), nga kontakti me lëkurën, nga mikrobet që zhvillohen në organizëm (në fyt, në aparatin e frymëmarrjes etj). Alergji shkaktojnë te disa njerëz ushqime të caktuara (qumështi, veza, peshku, brumërat) dhe barna që pihen ose që bëhen me injeksione. Me përdorimin në shkallë të gjerë të barnave dhe të lëndëve të prodhuara nga industria kimike, sëmundjet alergjike janë bërë më të shpeshta. Shërbimi i A. në Shqipëri është ngritur pas Çlirimit në rrethet kryesore të vendit. Rreth viteve 70 A. mori zhvillim të mëtejshëm në klinikat universitare të Tiranës dhe më 1981 doii si shërbim i specializuar më vete.

(F. Ho.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Alergologjia


[cite]