AMANTIA
✤ Qytet ilir i përcaktuar në rrënojat e lashta në fshatin Plloçë’ të Vlorës. Themeluar aty nga fundi i shek.V p.e.r., përmendet për të parën herë në burimet e shkruara në shek.IV p.e.r. A. kishte të fortifikuar vetëm akropolin me perimetër 2200m. Qyteti shtrihej në faqet rreth e rrotull kodrës në një sipërfaqe prej 15 ha. Në shek.III p.e.r. A. ishte kryeqendra ekonomike, politike e kulturore e bashkësisë të Koinonit të amantëve, ku hynin edhe qyteti Olympe (shih) ahe qytezat e fortifikuara të Matohasanajt, Ceries e Haderajt, më tepër me funksione strategjike. Nga mbishkrimet e zbuluara në rrënojat e Plloçës del se në krye të bashkësisë ishte prytani, përmenden edhe këshilli (buleja), gramateu (sekretari i këshillit), toksarku (komandant i shigjetarëve) dhe agonoteti (nëpunësi që merrej me organizimin e lojërave). A. bënte pjesë në Lidhjen Epiroite deri më 230 p.e.r. Pas shkëputjes filloi prerjen e monedhave me emrin e amantëve, të cilat qarkullonin në trevat e bashkësisë dhe jashtë saj. Pas pushtimit romak ruajti një farë autonomie të brendshme dhe ishte një nyjë e rëndësishme në rrugën që nga Apolonia zbriste në J drejt Epirit. Veç mureve rrethuese të akropolit, mureve të terracimit e portave janë zbuluar stadiumi i A. (shih), tempulli i Afërditës, gjurmët e një teatri, nekropoli me varret monumentale etj. A. përmendet si qytet ende në shek.VI si qendër peshkopale. Të kësaj kohe janë një fragment muri i restauruar dhe një bazilikë e pasur me plasti’kë dekorative arkitektonike.
(S.A.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Amantia
[cite]