Ambrozi i Milanos

Ambrozi i Milanos

Ambrozi i Milanos (340-397) ka lindur në vitin 340 në Trevira të Italisë. Pas vdekjes së të atit familja e tij u vendos në Romë, ku studioi retorikë, filozofi dhe drejtësi. Në vitin 370 vajti në Milano, ku ushtroi profesionin e gjykatësit. Ai vendosi të pagëzohet i krishterë, të bëhet anagnost dhe më pas, brenda një kohe të shkurtër, të marrë të gjitha gradat kishtare. Më vonë u hirotonis episkop i Milanos. Ambrozi udhëhoqi grigjën e Milanos nga dhjetori i vitit 374 deri më 4 pril 397. Gjatë 23 vjetëve si episkop nuk mbajti asgjë për vete, pasi thoshte se të gjithë duhet të ndjekin rrugën që ndoqi Krishti. Ambrozi vdiq në paqe në vitin 397 në moshën 57 vjeçare. Kujtimi i tij kremtohet më 7 dhjetor. Shkrimet: a) Komentarë. Rreth gjashtë ditëve (Exameron), që përbëhet nga nëntë fjalime, të cilat janë shkruar në vitin 388, ku përshkruhet në mënyrë fantastike natyra. 2) Ekspoze e Ungjillit sipas Lukës (Expositio Evangelii secundum Lucam), vepër në dhjetë libra. Për të shkruar këtë vepër është frymëzuar nga Origjeni. 3) E vërteta komentuese rreth parajsës, Kainit dhe Abelit, Noes, Abrahamit, Isakut, Jakovit, Jozefit, Patriarkëve (De paradise, de Cain et Abel, de Noe, de Abraham, de Isaac, de Iacob, de Ioseph, de Patriarchis) etj. b) Asketike. 1) Mbi detyrat e meshtarëve (De officiis Ministrorum), me anën e kësaj vepre Ambrozi u drejtohet klerikëve të Milanos. Kjo vepër u shkrua në vitin 386. 2) Për pendimin (De paenitentia), e cila përbëhet nga dy libra dhe u shkrua ndërmjet viteve 387-390.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]