AMONITET
✤ Një nga grupet më të mëdha e më të rëndësishme fosile të botës shtazore, që i përket klasës së cefalopodëve. Shfaqen nga devoniani dhe vijnë deri në fund të periudhës kretake. A. kanë pasur një evolucion shumë të shpejtë dhe prandaj shërbejnë si fosile treguese për të gjithë shkëmbinjtë sedimentarë të formuar që nga devoniani e deri në kretak. Ato kanë trajta guaskash të ndryshme që nga ajo tipike spiralore, tek forma e shpërdredhur e deri fare e drejtë. Ky ndryshim ndihmon jo vetëm për të imtësuar stratigrafinë, por edhe për të bërë rindërtimet paleogjeografike. Rëndësi më të madhe ata kanë në periudhën jurasike dhe në epokën e hershme kretake. Studimi i A. në Shqipëri ka ndihmuar shumë sidomos për imtësimin e stratigrafisë së mesozoit. Njëri ndër studiuesit e parë të A. të triasit në Zonën e Mirditës (Kçirë), austriaku G.Artaber, përcaktoi edhe gjininë e re Albanites, që tashmë ka zënë vend në literaturën paleontologjike botërore, si dhe disa lloje të reja A. të emërtuara gjithashtu me emra shqiptarë. Pas Çlirimit të vendit janë bërë studime të hollësishme edhe për A. e jurasikut të. poshtëm e të sipërm dhe kretakut të poshtëm. Për dy njësitë e fundit me anën e A. është arritur të vecohen edhe nëndarje të imta biostratigrafike në Zonën Jonike dhe në Zonën e Mirditës. (S.Me.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Amonitet
[cite]