Andon Merdani
shqiptar ortodoks Andon Merdani ka lindur në Tiranë në vitin 1969. Ai e ka origjinën nga një familje bektashiane. Në vitet 1988-1990 studioi në Akademinë Ushtarake, të cilën nuk arriti ta përfundonte. Pas takimit me disa misionarë ungjillorë në verën e vitit 1991 u konvertua në krishterim. Në vitin 1992, pasi përfundoi një kurs biblik, u bë lider i grupit të Vëllazërisë së Dishepujve të Krishtit. Interesi për fenë ortodokse iu shtua në vjeshtën e vitit 1994 në një mbjedhje të misionarëve ungjillorë në Shqipëri, ku ishin ftuar një grup të rinjsh ortodoksë të kryesuar nga Atë Luka Veronis. Në prill të vitit 1995 Andoni u pagëzua në Katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë. Menjëherë pas pagëzimit filloi të aktivizohet si përkthyes i anglishtes në seminarin teologjik të Durrësit, ndërsa me fillimin e vitit shkollor 1996 filloi studimet në Akademinë Teologjike, ku ra në kontakt me dekanin, Mitropolitin e Korçës Joanin dhe etër të tjerë të Kishës Ortodokse. Gjatë viteve të studimeve e tërhiqnin leksionet që flisnin për jetën murgjërore. Për të përjetuar më thellë njohuritë e marra rreth monakizmit, në verën e vitit 1996 vizitoi manastiret e Malit Athos dhe në vijim qëndroi ca kohë në manastirin e Ardenicës, i cili në atë kohë ishte fidanishtja e përgatitjes së jetës monakale në Shqipëri. Gjithashtu Andoni aktivizohej me grupet e katekizmit, të cilët predikonin nëpër fshatra dhe qytete të ndryshme anembanë Shqipërisë. Vite më vonë Andoni duke iu përgjigjur thirrjes së Imzot Joanit vajti disa muaj në Mitropolinë e Korçës. Gjatë kësaj kohe vendosi që të ndjekë rrugën murgjërore dhe në vijim studioi në Universitetin Kombëtar “Kapodistria” të Athinës, në degën e teologjisë sociale. Në 21 nëntor të vitit 2006 në Kishën Katedrale “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, Arkimandrit Andoni u dorëzua në gradën episkopale nga Kryeepiskopi Anastas, Hirësi Ignati, Hirësi Joani, Hirësi Dhimitri dhe Hirësi Nikolla.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Plotësohet Sinodi i Shenjtë, Ngjallja, dhjetor 2006, faqe 8.