Andrea
(greqisht: Ανδρέας) person biblik Andrea është i pari prej peshkatarëve të Galilesë të cilët Krishti i ftoi për t‘u bërë apostuj. Andrea është vëllai i Pjetrit, i biri i Joanit prej Betsaidës së Galilesë. Ushtroi profesionin e peshkatarit në ujërat e qeta të Tiberiadës. Në ujërat e Jordanit, dëgjoi predikimin e Joanit, i cili ishte një personalitet i madh profetik. Andrea u bë njëri prej dëgjuesve dhe nxënësve të Pararendësit, ndoqi predikimin e tij dhe ditë e natë priste Mesinë e predikuar dhe të shumëpritur. Zemra e ndjeshme e Andreas që kërkonte Perëndinë, jo vetëm që dëgjoi zërin e Prarendësit dhe ishte i pranishëm ndër të parët, por në të njejtën kohë u tregua i gatshëm, i pari, për të njohur dhe për t’i shkuar pas predikimit kur të vinte çasti. Një mëngjes kur po peshkonte më vëllanë e vet në liqenin e Gjenisaretit, shkoi dhe takoi Peshkatarin e madh, i cili u bëri ftesën përfundimtare: “Ejani pas meje dhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”. Andrea u tregua menjëherë i gatshëm. Për hirin e Tij braktisi gjithçka. Apostull Andrea predikoi në Azinë e Vogël, në Pont, Maqedoni, Akai etj. Nëpër këto vende themeloi edhe kishat e para dhe nëpërmjet tyre edhe Episkopatën e Bizantit, nën Mitropolinë e Iraklisë e Thrakës dhe vendosi atje si Episkop Apostull Staqin. Ai udhëtoi dhe predikoi nga deti i Tiberiadës në brigjet e Detit të Zi e të Marmarasë, nga gjiri i Bririt të Artë në Greqi e duke përfunduar në gjirin e Patras. Të gjitha udhëtimet e tij ishin të mbushura me përndjekje, vuajtje, mundime dhe tortura. Në Patra i dha fund jetës së tij të lavdishme me vdekje në kryq. Andrea u kryqëzua me kokë poshtë. Kisha e Kostandinopojës ka përcaktuar datën 30 nëntor si festën e themeluesit dhe të mbrojtësit të saj. Gjithashtu lipsanet e shenjta të Shën Andreas në vitin 356 u sollën në Patra dhe gjenden sot në Kishën e Apostujve të Shenjtë.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)