ANTIKRIPTOGAMIKËT


ANTIKRIPTOGAMIKËT
✤ Lëndë shumë helmuese ose prodhime të sintezës kimike dhe biologjike, që përdoren për luftimin e sëmundjeve kërpudhore të bimëve dhe të kulturave bujqësore. Prodhohen kryesisht mbi bazën e squfurit e të bakrit. Para Çlirimit janë përdorur në sasi të pakta gurkali (sulfat bakri) dhe squfuri, kryesisht për luftimin e vrugut të hardhisë. Pas Çlirimit përdorimi i A. u zgjerua në tërë ekonomitë bujqësore të vendit për luftimin e shumë sëmundjeve të pemëve, perimeve dhe bimëve të arave. Veç gurkalit dhe squfurit, përdoren edhe zinebi, sulfazoli, oksikloruri i bakrit, polisulfuri i kalciumit etj. Industria kimike prodhon sot mbi 80% të sasisë së A, që përdoren në vend, si squfur, gurkali, oksiklorur bakri, zineb, TMTD, dhe përzierje të tyre si zinoksevin etj.

(A.Pa.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Antikriptogamikët


[cite]