ANTIPARAZITARËT
✤ Lëndë ose prodhime me origjinë të sintezës kimike e biologjike si dhe ekstrakte bimore, që përdoren për luftimin e parazitëve të ndryshëm të bimëve. Llojet kryesore janë antikriptogamikët (shih) dhe insektieidet. Në Shqipëri janë përdorur në sasi të pakta që para Çlirimit, sidomos gurkali (sulfat bakri) për luftimin e vrugut të hardhisë. Janë përdorur në raste të rralla edhe kripërat e arsenikut.
Pas Çlirimit u zgjerua përdorimi i tyre dhe hynë iloje të reja si produktet organike me klor (DDT, heksakloran etj.) dhe me fosfor (paration, ragor etj.). Nga viti 1967 në Ndërmarrjen kimike në Durrës ka filluar prodhimi i disa preparateve antiparazitare (zineb, TMTD, vapon, oksiklorur bakri etj.) si dhe përgatitja e disa përzierjeve me lëndë aktive të importuar (lindan, sevin, diptereks etj.). Në Kombinatin kimiko-metalurgjik të Laçit prodhohet sulfat bakri. Sot industria kimike e vendit siguron mbi. 80% të sasisë së A. që kërkohen në ekonominë bujqësore. Përdorimi i tyre bëhet mbi baza shkencore, duke pasur kujdes për shëndetin e punonjësve dhe për ndotjen e mjedisit.
(A.Pa.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Antiparazitarët