ANTONIU KRISTAQ
✤ (1909-1979). Këngëtar, tenor dhe bariton, Artist i Popullit. Lindi në Korçë, u detyrua të mërgonte në Rumani, ku përfundoi më 1928 Akademinë Mimodramatike të Bukureshtit. Luajti role të para në disa filma e u bë i njohur si artist kinematografie veçanërisht me filmin «Hajduti» (1930). Si koncertist e këngëtar operetash bëri turne me një trupë nëpër Europë. U kthye në Shqipëri më 1935.
Pas Çlirimit nisi një veprimtari të gjallë artistike, në fillim si këngëtar, koncertist me një repertor të pasur klasik dhe me vepra popullore e të autorëve shqiptarë. U shqua në interpretimin e arieve nga operat klasike dhe të këngëve popullore, si «Asaman, o syri i zi», «Bilbil, o i mjeri bilbil» etj. Me hapjen e Filarmonisë shqiptare më 1951 mori pjesë në koncertet e saj brenda e jashtë vendit. Më 1956 pas krijimit të Teatrit të Operas e Baletit, pati pjesë me role kryesore në operat «Mrika» (Gjeta), «Traviata» (Zhermen), «Kavaleria rustikane» (Alfio) etj. Me zë të fuqishëm dhe shprehës, u dallua veçanërisht në interpretimin e këngëve popullore korçare të qytetit e të fshatit, që i këndoi me frymë optimiste.
(H.St.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Antoniu Kristaq