APOLONIA


APOLONIA
✤ Qytet antik ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera me të njëjtin emër të kohës antike. Gërmadhat e A. u zbuluan që nga fillimi i shek.XIX, në kodrën midis fshatrave Pojan e Kryegjatë në P të Fierit. U themelua rreth fillimit të shek.VI p.e.r. Kolonistë të ardhur nga Korinti, Korkyra, ndoshta edhe nga Dyrrahu u ngulën pranë një qendre të .banuar më parë nga vendasit. A. e lidhte me detin I.Aoos (Vjosa) që në atë kohë kalonte pranë qytetit dhe ishte i Iundrueshëm.

Në shekujt e parë të jetës, qyteti mbante lidhje të ngushta me Korintin e Korkyrën dhe luante rolin e ndërmjetësit në tregtinë e helenëve me ilirët. A. ishte një qytet-shtet (pdlis) skllavopronar. Në shek.V p.e.r. u bë qendër e zhvilluar ekonomike me punishte të ndryshme zejtare, zgjeroi marrëdhëniet me botën ilire si dhe me Atikën, më vonë edhe me boitën italike. Nga gjysma I e shek.V p.e.r. A. filloi të presë monedhat e veta, të cilat u përhapën gjerësisht deri në krahinat më të largëta të Ballkanit. Nga fundi i shek.IV e sidomos gjatë shek.III për zotërimin e A. u bënë luftëra të vazhdueshme midis ilirëve, epirotasve, maqedonëve dhe në fund midis ilirëve dhe Romës. Si shpërblim, për qëndrimin në anën e Cezarit në luftën civile, A. u shpall në kohën e Augustit qytet i lirë dhe i paprekshëm. Qyteti vazhdoi të ruante një farë autonomie edhe në kuadrin e Perandorisë Romake. Gjatë kësaj kohe A. vijon të jetë qendër e rëndësishme ekonomike e kulturore, «një qytet i madh e hijerëndë», siç e cilëson Ciceroni. Lulëzon arkitektura dhe degë të tjera të artit, sidomos skulptura. Shkollat apoloniate të retorikës dhe të filozofisë gëzonin emër, aty vinin edhë djemtë e aristokracisë romake, midis të cilëve edhe Oktavian Augusti. Në shek.III fillon rënia e A. Kriza e sistemit skllavopronar, sulmet e barbarëve dhe tërmetet çuan në shkatërrimin e qytetit. Në shek.V u kthye në një qendër të vogël peshkopale.

Gjurmët arkeologjike më të hershme nga kodra e A. janë disa objekte të kohës së hekurit: enë balte, sëpata dytehëshe, heshta hekuri etj., tipike të kulturës ilire, që dëshmojnë për praninë këtu të një vendbanimi ilir para themelimit të kolonisë. Nga shekujt e parë të jetës së qytetit (shek.VI-V p.e.r.) janë ruajtur në pjesën e sipërme të kodrës disa mbeturina të murit mbrojtës dhe të një tempulli arkaik, kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apolonatëve. Lulëzimin më të madh qyteti e njohu në shek.IV-III p.e. sonë. Në këtë kohë ai u shtri në gjithë faqen perëndimore të kodrës deri në këmbët e saj. Brenda murit mbrojtës, me një perimetër prej rreth 4000m, u përfshi një hapësirë e gjerë prej 130 ha. Qyteti u ndërtua sipas një plani që mbështetej në sistemin ortogonal të Hipodamit. Ai përshkohej nga rrugë të drejta, kryesore e dytësore, që kryqëzoheshin me njëra-tjetrën, duke kufizuar lagjet e veçanta. Terreni i thyer rregullohej me anë tarracash, ndërsa një rrjet kanalizimesh i shërbente rrjedhës së ujërave. Nga ndërtimet kryesore, përveç mureve mbrojtëse, me këtë kohë lidhen edhe portiku i qendrës së qytetit (agorasë), teatri, një çezmë monumentale, gjimnazi, etj. Në shekujt I-III të e.r. qyteti pati një periudhë të dytë ndërtimesh intensive, prej të cilave njohim godinën e këshillit të qytetit, një odeon, bibliotekën me një sërë punishtesh e banesash të mëdha të zbukuruara me mozaikë. Si qendër kulturore A. u shqua edhe për skulpturën e saj, që përfaqëson një shkollë të veçantë apoloniate. Nga kërkimet në territorin e qytetit dhe në varrezat e tij janë gjetur edhe mbishkrime, një pjesë e të cilave mbajnë emra ilire. Me vlerë të veçantë janë edhe koleksioni i monedhave, qeramikës, terrakotave etj. që ruhen në muzeun e A. Gjurmët e mesjetës në A. janë përfaqësuar nga një kishë e shek.XIII dhe nga manastiri i saj. Në vitet 1924-1938 në A. zhvilloi kërkime një mision arkeologjik francez, në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar nga qeveria antinopullore e A.Zogut. Pas Çlirimit në këtë qendër të rëndësishme antike janë bërë e vazhdojnë kërkimet sistematike të arkeologjisë shqiptare. (A.M.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Apolonia


[cite]