Apostuj

(greqisht: Απόστολοι) Apostuj quajmë ata që u zgjodhën prej Krishtit dhe u dërguan për të predikuar Ungjillin në gjithë botën. Nga greqishtja do të thotë “i dërguari”. Emërtimin “Apostuj” ua dha nxënësve të tij, vetë Krishti, siç na tregon Ungjillori Luka: “Kur zbardhi dita i thirri nxënësit e vet dhe prej tyre zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët dhe i quajti Apostuj …” (Luka 6, 13). Krishti para se të fillonte veprën e tij shpëtimtare, filloi të formonte grupin e nxënësve të tij. Në jetën e tyre personale, ata ishin të thjeshtë, analfabetë, të parëndësishëm, peshkatarë në profesion, por edhe doganierë, por më e rëndësishme është mënyra e përzgjedhjes së tyre. Dëgjuan vetëm një “më ndiq” dhe e ndoqën. Apostujt qenë izraelitë, të cilët prisnin Mesinë e vërtetë. Ishin ata të cilët nga brezi në brez kishin ruajtur të gjallë shpresën e realizimit të premtimit të Perëndisë (Zanafilla 3, 15). Ishin ata, të cilët kërkonin të shihnin fakte për t’u bindur, se Perëndia mban premtimin e dhënë. Te personi i Krishtit ata gjetën atë që kërkonte dhe priste zemra e tyre. Ata përbënin bërthamën e parë, rreth së cilës ditën e Pendikostisë u krijua Kisha. Të drejtuar, të forcuar nga Shpirti i Shenjtë, kishin pranë tyre një rreth më të gjerë nxënësish, rrethin e të shtatëdhjetëve. “Pastaj Zoti zgjodhi edhe shtatëdhjetë nxënës …” thekson Luka në 10, 1. Këtu duhet të shtojmë edhe gratë miraprurëse, besnike. (Luka 8, 3). Të gjithë bashkë ishin 120 veta (Veprat 1, 15). Këta nuk u pagëzuan me ujë, sepse i pranoi Zoti të pagëzoheshin me Shpirtin e Shenjtë (Veprat 1, 5) ditën e Pendikostisë. Pas kësaj ata u shpërndanë në gjithë vendet e botës për të kryer misionin e tyre të shenjtë.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Dhimitris Rizos, Agjiologjia, (përkthyer në shqip nga Anxhela Trebicka), Shën Fotini Samaritania, Selanik 1983.

Besimi — Ortodoks

[cite]