Arbëreshët

Arbëreshët

Mbas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468, shumë familje shqiptare u shpërngulën përtej detit. Shumë nga këta mërgimtarë kërkuan strehë në Italinë e Jugut në Mbretërinë e Napolit, ku Ferdinanti u tregua bujar e mirënjohës duke i vendosur ata, në tokat që ia kishte falur Skënderbeut. Meqenëse këta të shpërngulur nga trojet e tyre kishin besimin ortodoks, gabimisht ata i merrnin për grekë, prandaj edhe krahina pranë Palermos u quajt “Piana dei Greci” (krahina e grekëve) deri në kohën kur Musolini e korrigjoi atë në “Piana degli Albanesi”. Madje edhe sot e kësaj dite këta njerëz e quajnë veten me krenari arbëreshë. Ky mërgim përfundoi aty nga viti 1774. Këta refugjatë vazhdonin të kishin ritin ortodoks dhe kishin dy episkopë, njërin në Ungra të Kalabrisë dhe tjetrin në Piana degli Albanesi, ose siç e quanin ndryshe edhe Hora e Arbëreshëve. Për dorëzimin e priftërinjëve të tyre ata u drejtoheshin peshkopëve të kolonive Italo-Greke. Nga shkaku se flisnin gjuhën shqipe dhe kishin ritin ortodoks u ndeshën me vështirësi në mjedisin latin. Për të lehtësuar kalimin e tyre në ritin latin në vitin 1576, Papa Gregori XIII, themeloi Kolegjin Grek në Romë. Qendra të tjera të kulturës shqiptare dhe të mësimit shqip qenë edhe kolegji Ilir në Loreto (1580), manastiri Bazilian i Grotaferatës 4 km në afërsi të Romës, Seminari Greko-Arbëresh i Palermos, etj.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Engjëll Sejdaj, Papa shqiptar Klementi XI Albani dhe Kuvendi i Arbërit, Gjon Buzuku, Prishtinë 1998.

Besimi — Ortodoks

[cite]