ARBANONI
✤ (Albanoni). Emri mesjetar i vendbanimit të shqiptarëve, në burimet bizantine. Përmendet për herë të parë në shek.XI: në burimet latinbperëndimore jepet në trajtat Albanum, Arbanum, Arbania, Albania; me metatezë në burimet sllave Raban dhe në shkrimet më të vjetra shqipe Arbenë-Arberë.
Në fillim emërtimi Arbanon-Albanon shtrihej mbi viset në L e në VL të Durrësit dhe në P të Ohrit e të Dibrës, duke përfshirë kështu bërthamën fillestare ku gjeografi aleksandrin Ptolemeu, në shek.II, vendos fisin ilir Albanoi, nga i cili me sa duket ka marrë emrin treva. Emërtimi A. në fillim kishte kështu një kuptim etnikogjeografik. Një .variant i fiilimit të shek.XII të eposit francez «Kënga e Rolandit» (La Chanson de Roland) jep shkas për të menduar se që në shek.XI emërtimi «Albeinë», i përdorur aty, përfshinte edhe Durrësin e Vlorën dhe krahinat midis tyre. Në shek.XII emërtimi Arbanon-Raban. përfshinte edhe krahinat malore V e VL të Pultit. Në shek. XI përmendet edhe peshkopata e A., qendër e së cilës mendohet të ketë qenë Kruja, ndërsa peshkopata e saj dëshmohet qysh në shek.X. Në shek. XIV ky emërtim, duke u përgjithësuar, përfshiu treva të banuara nga shqiptarët që nga Tivari e Prizreni e deri në krahinat e Çamërisë, siç e pasqyrojnë burimet perëndimore e sllave të shek.XIV dhe osmane në shek.XV.
(K.Bo.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Arbanoni