ARKITEKTURA


ARKITEKTURA
✤ Tërësia e vlerave ndërtimore dhe estetike e godinave dhe objekteve të tjerë të banimit, të jetës shoqërore e të prodhimit, e komplekseve, e vendosjes dhe organizimit të tyre (shih: Urbanistika) si dhe arti i tyre i ndërtimit. Fillimet e A. në truallin e Shqipërisë i shënojnë banesat prehistorike. Banesa e neolitit të vonë në Maliq e Kamnik, banesat eneolitike në Cakran e Maliq paraqesin vazhdimësi në zgjidhjen planimetrike dhe tipat janë të përparuar. Lidhjet e afërta vihen re më qartë në periudhën e bronzit, kur edhe u formua popullsia ilire, dhe akoma më tepër në periudhën I të hekurit: monumente si tumat kanë tipare të përbashkëta në tërë territorin ilir, e po ashtu qendrat e fortifikuara si në zgjedhjen e trojeve dhe në planimetri. Në fortifikimet e periudhës qytetare ilire vihet. re zgjedhja e trajtave racionale dhe shfrytëzimi i arritjeve bashkëkohore. Ndërtimet me karakter shoqëror, teatrot, shëtitoret, tempujt në qytetet ilire janë dëshmi e zhvillimit ekonomik-shoqëror. A. e tyre tregon për zbatime krijuese si në stilet ashtu dhe format planimetrike vëllimore (shëtitoret e Apolonisë, Dimalit, Butrintit, teatrit të Bylisit e Dodonës etj.). Hap përpara në këtë kohë pati trajtimi urbanistik, duke iu përshtatur skemave të reja sipas sistemit ortogonal, por dhe këtu zgjidhja, veçanërisht e qendrës, nuk paraqitet stereotipe. Qyteti i periudhës së pushtimit romak me pak përjashtime (Skampin-Elbasan, Adrianopol-Sofratikë e Gjirokastrës, Grazhdan në Dibër), nuk paraqet ndonjë krijim të ri, por vazhdime të qytetit ilir. Zhvillimi i mëtejshëm i A. në këtë kohë mbështetet kryesisht në përparimet teknike, të cilat dhanë mundësi për ndërtimin e veprave si amfiteatri i Durrësit. Nga kjo kohë ka një sërë ndërtimesh shoqërore (banja, bazilika etj.) dhe banesa me interes. Në shekujt e antikitetit të vonë (IV-VI) A. përfaqësohet nga një numër i madh fortifikimesh, kështjellash dhe qytetesh e • kishash paleokristiane (shih: Arkitektura e ndërtimeve të kultit të krishterë). Përdorimi i rëndomtë i mozaikut dhe trajtimi i pasur i zbukurimores arkitekturale dëshmon monumentalitetin e kësaj gjinie dhe zhvillimin e madh ndërtimor.

Në mesjetën e hershme vazhduan të përdoren kishat ekzistuese ku vërehen dhe rimëkëmbje (Ballsh, Butrint) dhe të ndërtohen kisha të vogla. ^ Dëshmi e ndërtimeve në këtë kohë është kapela e veshur me mozaikë në amfiteatrin e Durrësit Vshek.X). Në mesjetën e mesme u ndërtuan monumente që dallojnë për zgjidhjet individuale Ckishat në Mesopotam, Pojan, Labovë e Kryqit etj.). Krahas prirjes drejt A. bizantine, një varg krahinash u orientuan edhe drejt perëndimit latin. Kështu nga krahinat rreth Durrësit deri lart në Dalmaci monumentet tregojnë lidhjen me A. romanike-gotike drejtpërdrejt ose ndërmjetazi (Rotec dhe Shas-Mali i Zi; Shkodër; Vau i Dejës; Çetë-Kavajë). Me interes në këto ndërtime është synimi për arritje artistike si në brendësi ashtu edhe në anën e jashtme, që vërehet në mjaft monumente të Shqipërisë së J (të stilit bizantin) dhe të Shqipërisë së V (stili romaniko-gotik). A. e fortifikimeve mesjetare shqiptare kalon disa periudha kryesore ndërtimi: nga bizantine te fuqizimi i shtetit arbëresh dhe i principatave feudale. Në qytetet e fortifikuara Budua, Ulqini, Shkodra, Durrësi, Berati etj. A. e fortifikimeve dhe sistemi urbanistik u përcollën pa shkëputje nga antikiteti në mesjetë. Në këtë kohë vërehet futja e elementëve të rinj mbrojtës, si ohorret e fortifikuara (Berat, Krujë) etj. Me pushtimin osman futet një tip i ndryshëm ndërtimesh (shih Arkitektura e ndërtimeve të kultit islamik), por pau shkëputur lidhjet e ngushta me traditën e mëparshme, si në teknikën e ndërtimit të detajeve arkitektonike dhe në konceptimin planimetrik vëllimor. Gjatë shek.XVI-XIX u ngritën dhe -një varg kishash, të cilat pikat kulminante i shënojnë në mesin e shek. XVIII në Voskopojë dhe gjatë fundit të këtij shekulli në Myzeqe, Gjirokastër.

Në periudhën e pashallëkeve të mëdha shqiptare vrull të ri merr ndërtimi i fortifikimeve (Shkodër, Tepelenë, Porto Palermo, Gjirokastër, Janinë etj.). Të ndërtuara nga mjeshtër dhe arkitektë shqiptarë, në to shihet njohja e mirë e A. ushtarake dhe e teknikës së ndërtimit. Një hov në këtë periudhë marrin edhe ndërtimet inxhinierike, ‘rrugë, ura, ujësjellës etj. Banesa e këtyre shekujve lidhet ngushtë me banesën e mesjetës së mesme e më herët dhe përcaktoben disa tipa kryesorë (shih Arkitektura popullore). Në gjysmën e dytë të shekullit XIX shihet prirja për unifikimin e tipologjisë së banesës. Tipi i ri, i cili zuri vend së pari në Korçë dallohet nga racionaliteti, barastrajtimi i brendisë me anën e jashtme dhe afria me hanesën bashkëkohore ballkanike. Ky tip vazhdoi deri në v.30-40 të shek.XX, për t’i lënë vend banesës së projektuar nga arkitektët. Arldtektura shqiptare ka tërhequr në një farë mase para Çlirimit vëmendjen kryesisht të studiuesit të huaj. Megjithë vlerën kryesisht dokumentare, këto studime sot janë të kapërcyera. Pas Çlirimit çështja e studimit të A. shqiptare u vu në rrugën e zgjidhjes. Fondi i çmueshëm i A. i trashëguar nga e kaluara nisi të vlerësohej, të ruhej e të studiohej vetëm pas Çlirimit. Sot me këto studime merren: Instituti i Monumenteve të Kulturës, Instituti i Kulturës Popullore, Qendra e Kërkimeve Arkeologjike etj. Studimet botohen në revistat: Monumentet, Kultura Popullore, Iliria (shih) e në një varg monografish. Një sintezë të kësaj arkitekture paraqet maketi Historia e arkitekturës shqiptare (deri në v.1912).

(A.B.-A.M.-P.Th.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Arkitektura


[cite]