Atenagora I

(greqisht: Αθηναγόρας Α΄) Atenagora I (1886–1972) ka lindur në Caraplana të Pogonit në Epir, më 25 mars 1886. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1910 vendosi që t’i përkushtohej Perëndisë, duke përqafuar jetën monakale. Në moshën 22- vjeçare, ai u dorëzua jerodhjak dhe u quajt Atenagora. Në vitet (1910–1919) Atenagora punoi në Manastir (Bitola) me detyrën e sekretarit, pranë episkopit Stefan. Vite më vonë kreu detyrën e sekretarit të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë dhe kur ishte në moshën 37-vjeçare, u fronëzua Mitropolit i Korfuzit. Pas një pune të suksesshme në Korfuz më 30 gusht të vitit 1930 Mitropoliti Atenagora, u emërua Kryepiskop i Amerikës (1931–1948). Në vitin 1939 ai themeloi seminarin e “Kryqit të Nderuar” për formimin e klerit në Boston, ndërsa në vitin 1944 themeloi Akademinë e Shën Vasilit. Gjatë viteve të qëndrimit në Amerikë, Kryepiskopi Atenagora pati mundësinë që të njihej më mirë me komunitetin shqiptar që drejtohej nga Imzot Fan S. Noli. Më 1 Nëntor 1948, Atenagora u zgjodh Patrik i Kostandinopojës. Gjatë viteve që qëndroi në Fronin Ekumenik (1949–1972) Atenagora mundi të organizojë pesë konferenca ndërortodokse duke krijuar bashkëpunimin me të gjitha kishat, duke përfshirë edhe kishën ruse. Në vitin 1957 filloi takimet e para në kishën katolike, të cilat u kurorëzuan më 7 dhjetor 1965 me heqien e anatemave (mallkimit– përjashtimit) të ndërsjelltë midis dy kishave.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Lush Gjergji, Atenagora profet i bashkimit, Drita, Ferizaj 1995, faqe 77-113.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]