Athanasi i Madh

Athanasi i Madh

(greqisht: Ο Μέγας Αθανάσιος) Athanasi i Madh (373) ka lindur në vitin 295 prej prindërish të pasur nga Aleksandria. Ai u dorëzua dhjak në vitin 318. Në Sinodin e Parë Ekumenik të Nikesë të vitit 325, Athanasi shoqëronte Patrikun e Aleksandrisë Aleksandrin, ku u shqua për mendime të pjekura në luftën kundër arianizmit. Ndonëse i ri në moshë Athanasi në diskutimet e tij tregoi kulturë të lartë teologjike dhe qëndrueshmëri në besimin ortodoks. Më 28 prill të vitit 328 fjeti Aleksandri i Aleksandrisë dhe vendin e tij e zuri Athanasi. Skizmatikët meletianë vazhduan një luftë të ashpër shpifjesh kundër Athanasit, duke e akuzuar se kishte thyer potirin e shenjtë, me të cilin prifti Iskiras kryente Liturgjinë Hyjnore, se kishte paguar tradhëtarin Filumeno etj. Atëherë Kostandini në vigjilje të Pashkës të vitit 332, e thirri Athanasin në Kostandinopojë për të dëshmuar. Perandori i shprehu simpati dhe besim Athanasit. Kështu Athanasi u kthye i pafajshëm në Aleksandri. Në fillimet e vitit 334 filluan sërish shpifjet e meletianëve kundër Athanasit, duke e akuzuar sikur kishte vrarë episkopin skizmatik Arsenin, por ky i fundit u gjet i gjallë, pasi qe fshehur në një manastir. Nga 46 vjetët që ka qenë episkop, Athanasi 16 vjet i kaloi në internim. Athanasi fjeti në vitin 373. Kisha e ka shpallur shenjt dhe kujtimin e tij e kremtojmë më 18 janar dhe 2 maj. Shkrimet: a) Apologjetike. 1) Fjala ndaj grekëve, e cila u shkrua në vitin 318. 2) Tri fjalime kundër arianistëve, të cilat i shkroi më 358, gjatë internimit të tretë të tij në shkretëtirë (356- 362). b) Asketike. Jeta e Oshënarit Andon, që u shkrua në vitin 357.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]