BAJRAM CURRI


BAJRAM CURRI
✤ Qytet i ri në VL të Shqipërisë në pellgun e Tropojës, rrëzë bjeshkëve të Bishevës e të Ponarit, qendër e rrethit të Tropojës (shih). Popullsia 5800. U ndërtua në fshatin e mëparshëm Kolgecaj dhe mori emrin e sotëm më 1952, meqë këtu ka zhvilluar veprimtari të gjerë Heroi i Popullit Bajram Curri (shih). Nën udhëheqjen e tij këtu më 1912 u bashkuan luftëtarët e Krasniqes që thyen forcat osmane në Qafën e Prushit. Banorët kanë marrë pjesë në kryengritjen e armatosur më 24.5.1924. Më 28.8.1943 ii organizua Besëlidhja e Malësisë për luftë kundër pushtuesve. Më 8.10.1943 këtu u ngrit Këshilli NÇ për krahinën e Krasniqes.

Qyteti është zhvilluar në dhjetëvjeçarët e fundit. Ka ndërmarrje gjeologjike, fabrika të industrisë ushqimore (të pijeve, të miellit, për tharjen e kumbullës së njohur të Tropojës etj.), park automjetesh dhe ofiçina për riparimin e tyre etj. B.C. ka 2 shkolla të mesme, pallat kulture, bibliotekë, shtëpi pionieri, spital, shtëpi lindjeje, poliklinikë, fushë sportive të lojërave me dorë, klub sportiv «Valbona» dhe ansamblin artistik të njohur «Valbona». Në qendër të qytetit është ngritur muzeu dhe përmendorja prej bronzi e B.Currit, është ngritur edhe një bust i Heroit të Popullit Asim Vokshi.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bajram Curri


[cite]