BALADA
✤ Krijim popullor epiko-lirik në vargje me karakter tregimtar, ku vend të veçantë zë elementi i jashtëzakonshëm. Disa nga B. kanë ruajtur elemente arkaike, ritualo-fetare e zakonore, që IIdhen me kushte të caktuara historiko-shoqërore. Këto populli i quan këngë të moçme, k.të vjetra etj. Gjatë historisë kanë fituar shtresime të reja social-kulturore: mjediset fantastike janë zbehur, elementet mitologjike janë shkarkuar, heronjtë ja-në zhveshur nga tipare të mbinatyrshme, ngjarjet janë bërë më të afërta me realitetin.

Përveç B. me përmbajtje mitike, në folklorin shqiptar janë shumë të njohura edhe B. e murimit në kështjellë, në urë etj. Në qendër të subjektit të tyre ishte riti shumë i lashtë i flijimit njerëzor në themele. Të njohura janë dhe B. me motivin e vëllait të vdekur. Në folklorin evropian kjo B. njihet si «kënga e Leonorës». Përhapje të gjerë kanë B. e rinjohjes së burrit me gruan (Kostandini i vogël, Aga Ymeri), të vëllait me motrën (Vilastari e Olimpia, Gjino Vaku, Gjon Pretika, Ali Borxhalia, Lute Fukaraja), të vëllait me vëllanë etj. B. me motive shoqërore të ndryshme lidhen me zakonet e vjetra të martesave, të rrëmbimit të vajzave etj. Në kohë më të vona janë krijuar edhe B. me elemente të dukshme realiste, siç është kënga e Rexhës, kënga e trimit që vdes larg vendit etj. Krijimi i B. ka vijuar edhe në ditët tona, kështu disa B. e marrin temën nga Lufta ANÇ dhe nga periudha pas Çlirimit. Disa B. shqiptare, si ajo e murimit, e vëllait të vdekur, e rinjohjes etj. kanë pika takimi në motive e në subjekte me B. e popujve të tjerë të Ballkanit. Megjithatë, në to rrjedh bota psikologjike e popullit shqiptar, shpalosen vetitë morale, doket e zakonet e tij, shprehen me nota të qarta origjinaliteti dhe lashtësia e kulturës kombëtare shqiptare. Çështje të B. janë trajtuar nga Z.Sako, Q.Haxhihasani, A.Çeta, etj. Botimi më i rëndësishëm është Balada popullore shqvptare (T.1982), përgatitur nga Q.Haxhihasani.

(S.H.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Balada


[cite]