BARDHYLI


BARDHYLI
✤ Mbret ilir, themelues i mbretërisë ilire. Sundoi më 393-359 p.e.r. Ishte me prejardhje nga shtresat e ulëta, qymyrtar, gëzonte simpatinë e luftëtarëve. Bëri kryengritje dhe rrëzoi nga froni mbretin Syra. Gjatë katër dhjetëvjeçarëve luftoi me mbretërit maqedonë për zotërimin e Lynkestisë. Më 393 mundi Amyntën II dhe e detyroi të paguante tribut vjetor, më 369 theu Aleksandrin II, kurse më 360 Perdikën III, që u vra edhe vetë në fushë të betejës bashkë me 4000 maqedonë. Për të dobësuar ndikimin spartan e maqedon në Epir, u lidh më 385 me tiranin e Sirakuzës, Dionizin. U mund nga Filipi II i Maqedonisë më 359 p.e.r. Sipas burimeve, në këtë betejë B. luftoi mbi kalë, ndonëse ishte 90 vjeç. Vendin ia zuri më 356 mbreti Grabo.

(F.D.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bardhyli


[cite]