BASHKIMI KOMBËTAR


BASHKIMI KOMBËTAR
✤ (1925-1939). Organizatë politike reaksionare, e formuar nga krahu i djathtë i emigracionit politik shqiptar. Përbëhej nga përfaqësues të borgjezisë e të çifligarëve liberalë, të mërguar pas disfatës së Revolucionit të Qershorit të vitit 1924 (shih). B.K. ishte për largimin e Zogut, duke ruajtur të paprekur regjimin çifligaro-borgjez, ishte kundër zbatimit të reformave demokratike dhe shpalli se «do të luftonte çdo ide bolshevike ose tjetër këso dore që trondit bazën e gjendjes shoqërore në Shqipëri». B.K. dhe krerët e tij Ali Këlcyra, Xhemal Bushati, Qazim Koculi etj. për të luftuar A.Zogun u lidhën me bllokun franko-jugosllav dhe u financuan nga Jugosllavia.

B.K. kishte dhe gazetën e vet me të njëjtin emër. Ai iu kundërvu organizatës demokratike-revolucionare Komiteti i Çlirimit Nacional (shih). Në vitet 30, me ashpërsimin e luftës së klasave në shkallë kombëtare e ndërkombëtare, B.K. kaloi gjithnjë e më shumë në pozita reaksionare e profashiste. Në fund të v.1938, fashistët italianë tërhoqën në anën e vet edhe B.K., që e miratoi planin e pushtimit të Shqipërisë. Pjesëtarët e B.K. u kthyen në Shqipëri pas pushtimit të saj dhe bashkëpunuan me fashistët • italianë e gjermanë kundër Luftës ANÇ. Mjaft nga krerët e B.K. përbënë bërthamën kryesore të organizatës tradhtare të Ballit Komhëtar (shih).

(M.Be.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bashkimi Kombëtar


[cite]