BETEJA E SAVRËS


BETEJA E SAVRËS
✤ (1385). Një nga ndeshjet e para ballore të shqiptarëve me invazorët osmanë. Nën udhëheqjen e Balshës II (shih), forcat shqiptare i dolën përpara një ushtrie kalorësish osmanë të komanduar nga Timurtashi, një prej udhëheqësve më të sprovuar ushtarakë osmanë. Ndeshja u zhvillua me 25.9. në Fushën e Savrës, në J të Lushnjës. Ushtria e Balshës synonte t’i mbyllte rrugën depërtimit të forcave osmane të cilat që kur kishte rënë në duart e tyre Manastiri (1383) dhe Tesalia, po godisnin pareshtur tokat shqiptare. Osmanët përfituan nga konfliktet që po zhvilloheshin midis sundimtarëve feudalë shqiptarë, një nga të cilët Karl Topia iu drejtua për ndihmë. Të ndodhura nën presionin e feudalëve boshnjakë dhe duke nënvlerësuar forcat armike, ushtria shqiptare u doli përpara osmanëve me nxitim dhe pa përgatitjen e duhur. Si rrjedhojë ajo pësoi disfatë dhe Balsha II mbeti i vrarë në fushën e betejës. Me dobësimin e principatës së Balshajve iu hap rruga depërtimit osman në brendësinë e trojeve shqiptare.

(P.B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Beteja E Savrës


[cite]