BETIMET
✤ Shprehje të caktuara sipas traditës popullore për të pohuar ose mohuar diçka ose si premtim besnikërie të’ patundur. Në B. përmenden gjera të shtrenjta për njeriun a shoqërinë, sende a vende kulti, shenjtorë etj. B. në zanafillë lidheshin me besimin në forcën magjike të fjalës dhe të objektit që përmendej. Kishin lidhje me të drejtën zakonore, po dhe natyrë morale. Një lloj i B. ishin betë. Betë kishin më tepër funksione të së drejtës zakonore dhe karakter ceremonial, kishin vlerën e provës. Benë e bënte i akuzuari për të shfajësuar veten. Një be e lashtë që erdhi deri vonë bëhej duke marrë nëpër duar një gur. Në raste me rëndësi beja bëhej përpara njerëzve të caktuar si betarë: 3, 6, 12, 24 veta.

B. bëheshin në të folur e sipër e kishin për qëllim të përforconin saktësinë e fjalës së thënë, t’i jepnin forcë bindëse dhe shprehëse emocionale. B. ishin të lidhura me kultin e besës shqiptare e të së vërtetës. Shprehjet e B. mbajnë gjurmë të lashtësisë shqiptare, të lidhura me mënyrën e jetesës, të menduarit dhe zakonet e vjetra: «Për ato male!»; «Për atë Tomorr!»; «Për atë diell që vete lodhur!» etj. Në përgjithësi sot B. e vjetra kanë dalë nga përdorimi, si pasojë e ndryshimeve të thella të botëkuptimit dhe me marrëdhëniet e reja shoqërore. Në të folur, si vazhdë e traditës, janë krijuar edhe B. të reja, me rol përforcues e shprehës të fjalës së thënë.

(M.Ti.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Betimet


[cite]