Bimët entomofile           Pjesa më e madhe e bimëve fanerogame janë bimë entomofile, që pjalmohen me anën e insekteve. Pjalmimi me anën e insekteve është më i ndërlikuar se pjalmimi me anë të erës dhe të ujit. Insektet. në fakt nuk i vizitojnë lulet rastësisht. Ato tërhiqen nga disa karakteristika të veçanta që kanë lulet, dhe gjejnë te lulet nektarin, ushqimin që u nevojitet. Kështu është krijuar një lidhje ndërmjet insekteve dhe luleve: lulet i japin insekteve ushqimin, ndërsa insektet bartin pjalmin nga një lule në një tjetër, duke kryer kështu pjalmimin e tyre. Insektet në të vërtetë nuk vizitojnë të gjitha llojet e luleve, por vetëm disa lloje. Kjo kushtëzohet nga ngjyra e lules, nga ndërtimi i saj, nga lloji i ushqimit e të tjera. Përveç insekteve  ka edhe shumë kafshë që ndihmojnë në pjalmimin e luleve, por sigurisht në një shkallë më të vogël. Kështu, kolibri, duke futur sqepin e tij të gjatë për të kërkuar insekte në kurorën e luleve, ngacmon pjalmoret që lëshojnë pjalmin edhe mbi të; kur viziton lulet e tjera, ai prek pistilin e tyre dhe kështu kryhet pjalmimi.     Në radhë të parë lulet që pjalmohen me anën e insekteve. i kanë petalet e kurorës së tyre me ngjyra të bukura, tërheqëse e të dukshme. Kështu, p.sh., lulja e vjollcës i ka petalet me ngjyra të ndryshme; lulëkuqja i ka petalet me një njollë të zezë; lulja e bathës i ka petalet e bardha ose rozë me një njollë të zezë etj. Këto ngjyra të dukshme e karakteristike tërheqin insektet. Nga ana tjetër, edhe vetë lulja është e ndërtuar në mënyrë të tillë që, kur insekti të futet brenda në të, për të thithur nektarin, ai të prekë medoemos thekët dhe pistilin e lules. P.sh. bleta, kur shkon te lulja e bimëve salepore, fut kokën brenda në lule për të thithur nektarin; koka e saj prek pjalmoret dhe grimcat e pjalmit, që lirohen, ngjiten e qëndrojnë në të. Kur bleta viziton një lule tjetër, pjalmi që ndodhet në kokën e saj, takon krezën e pistileve. Kështu kryhet pjalmimi i luleve. Lulet e bimëve entomofile i tërheqin insektet edhe me erën e tyre karakteristike. Kështu, era e këndshme e manushaqes, e trëndafilit etj. pëlqehet shumë nga disa insekte, por nuk pëlqehet nga insekte të tjera që vizitojnë lule të ndryshme.

Në botën e bimëve

[cite]