BIOLOGJIA


BIOLOGJIA
✤ Shkenca që studion të gjitha qeniet e gjalla. dukuritë dhe ligjet e zhvillimit të tyre, ndërtimin, ’ funksionimin, ; veprimtarinë jetësore, prejardhjen, ndryshueshmërinë dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre e me natyrën jo të gjallë. Përfshin botanikën e zoologjinë, (shih) një varg degëzimesh dhe disiplina kufitare me shkenca të tjera, si: biokimia, biofizika, mikrobiologjia. B. molekulare, citologjia, histologjia, embriologjia, gjenetika, anatomia e fiziologjia etj. Si lëndë mësimore është dhënë në shkollë që para Çlirimit, por në trajtë fillestare. Si shkencë , nisi zhvillimin vetëm pas Çlirimit, e lidhur me kërkesat e ekonomisë socialiste për të përdorur burimet e botës së gjallë dhe për ta shndërruar atë mbi baza shkencore, për të rritur prodhimtarinë e tokës e të blegtorisë, për përpunimin e produkteve të tyre, si dhe për të ruajtur shëndetin e punonjësve e për të mbrojtur mjedisin. Përgatitja e biologëve të parë nisi me hapjen e Institutit Pedagogjik dyvjeçar (1946), ndërsa sot ka degë të B. në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (shih) të UT dhe pranë insfituteve të tjera të larta të vendit, ku përgatiten edhe specialistë për B. e zbatuar. Drejtimet kryesore të kërkimeve në fushën e B. janë: studimi i bimësisë dhe i kafshëve për hartimin e florës e të faunës të Shqipërisë, studimet gjenetike për krijimin e linjave, e hibrideve dhe të heterozivit në bimë e kafshë, studimet për sëmundjet e tyre, për luftimin dhe përdorimin e mikroorganizmave në bujqësi, mjekësi e teknologji, si dhe në degët e parazitologjisë, entomologjisë etj.

Qendrat shkencore-kërkimore kryesore janë: Qendra e Kërkimeve Biologjike (shih) pranë Akcdemisë së Shkencave, katedrat e botanikës, zoologjisë e gjenetikës në UT, në Institutin e Lartë Bujqësor, të Tiranës e të Korçës. Kërkimet biologjike janë pjesë përbërëse e veprimtarisë së institucioneve të tjera qendrore, si Instituti i Misrit dhe i Orizit në Shkodër, Instituti i Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë, Instituti i Kërkimeve të Zooteknikës e atij të Veterinarisë, si dhe të shumë institueioneve të tjera shëndetësore, të industrisë së lehtë e ushqimore, të peshkimit etj. Janë ngritur dhe zhvillojnë veprimtari gjithashtu Muzeu i Shkencave të Natyrës, Kopshti Botanik, Herbari Kombëtar etj. Rezultatet në fushën e B. botohen në revistat Buletini i shkencave të Natyrës, Buletini i shkencave Mjekësore, Buletini i shkencave Bujqësore (shih). Botimet kryesore monografike janë: «Misrat hibride» (1974), «Hibridizimi për shtimin e prodhimit të misrit për blegtorinë» (1983), «Peshqit e Shqipërisë (1958), «Drurët dhe shkurret e Shqipërisë» (1955), «Flora e Tiranës» (1965) etj. Në këtë fushë kanë dhënë ndihmesën e tyre: Kolë Paparisto, Nikolla Lako, Sotir Angjeli, Islam Zeko, Teki Tartari, Xhafer Qosja, Mustafa Demiri, Ilia Mitrushi, etj.

(R. Pa.-St. K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Biologjia


[cite]