BOJËRAT


BOJËRAT
✤ Lëndë ngjyrosëse në trajtë pluhuri ose pezullie, me të cilat lyhen ngrehinat, konstruksionet etj. për t’i mbrojtur e për t’i zbukuruar. B. janë të shumëllojshme. B. e vajit e smaltot janë përzierje të lëndëve cipëformuese me pigmente dhe mbushës, të cilët pas lyerjes së objektit thahen duke krijuar një cipë të fortë mbrojtëse. Në këtë tip hyjnë dhe grupi i B. të pjekura (olife) dhe verniket (llake), të cilat nuk përmbajnë pigmente dhe mbushës, por kanë qëllim mbrojtës. Ato formohen nga termopërpunimi i vajrave dhe rrëshirave të ndryshme të tretura ose jo në tretës organikë.

B. për lyerjen e mureve për hijeshi dhe higjienizim përbëhen nga pigmente e mbushës, që treten në ujë ose sherbet gëlqereje. Industria kimike (shih) e vendit prodhon lloje të ndryshme B, si B. me bazë ngjyrosësish organikë, që përdoren në përzierje me sherbet gëlqereje për lyerjen e mjediseve të brendshme; B. me bazë kazeine, nga përzierja e lëndëve ngjyrosëse organike ose inorganike me kazeinë dhe mbushës të tjerë, që përdoren në përzierje me sherbet gëlqereje për mjedise të brendshme ose të jashtme, janë të qëndrueshme dhe nuk fshihen lehtë; B. vaji dhe B. smalto me ngjyra të ndryshme; B. kundër ndryshkut etj. Prodhimi i B. të vajit e B. smalto më 1982 ishte 1,6 herë më i madh se më 1970.

(G.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bojërat


[cite]