BRESHKAT


BRESHKAT
✤ Kafshë zvarranike pa dhëmbë, me nofulla të zbuluara me këllëf brinor, me një mburojë (guall) të përbërë nga kocka dermike të mbuluara në sipërfaqe me pllaka epidermike, ku ngjitet një pjesë e skeletit të brendshëm, janë shumë të përhapura, jetojnë si në ujëra të ëmbla dhe të kripura, ashtu edhe në tokë, ecin ngadalë. Ndër B. e ujërave të ëmbla Clemmys caspica (Gmel.) është i përhapur në zonën e ulët dhe Emys orbicularis (L), haset në zona edhe më të thella si Tropoja, Kukësi, Korça etj. Ndër B. detare vlen të përmenden Dermochelys coriacea (L.) shumë e rrallë që është ndër zvarranikët më të mëdhenj të ditëve tona, me peshë mbi 600 kg, dhe Caretta caretta (L.) që është e zakonshme. B. tokësore përfaqësohen nga B. e zakonshme (Testudo hermanni, Gmel.) që është mjaft e përhapur duke filluar nga bregdeti deri në lartësi 1000 m, dhe B. malore (Testudo marginata Schoepff.), haset në Ksamil, në Butrint e Konispol. Disa lloje B. në vendin tonë përdoren si ushqim për kafshët.

(I. Ha.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Breshkat


[cite]