BRETKOSAT
✤ Kafshë amfibe pa bisht (Ecaudata) të pajisura me katër gjymtyrë, të prapmet të gjata, që ecin duke kërcyer, me lëkurë zakonisht të gjelbër të lagët e plot me gjëndra. I përkasin kryesisht familjes Ranidae, më e rëndësishmja e më e përhapura në Shqipëri është B. e zakonshme (Rana ridibunda, Fall.) që jeton në ujë, por jeton edhe në lartësi deri 1000 m. Lloje të tjera janë: B. e pyllit (R. temporaria L.) e përhapur në zonat malore dhe parapëlqehet për mishin e saj; Rana dalmatina, Boul që jeton në pyje dhe R. graeca, Boul që jeton në përrenj malorë e lumenj me ujë të ftohtë.
Thithëlopa është gjithashtu amfib pa bisht. Në Shqipëri është e përhapur thithëlopa e zakonshme (Bufo bufo L.) që është amfibi më i madh tek ne, si edhe thithëlopa e gjelbër (Bufo viridis Laur). Jetojnë kryesisht në tokë, zbresin në ujë për të lëshuar vezët në shkurt, mars, prill. Ushqehen kryesisht me insekte e butakë dëmtues të kulturave bujqësore, prandaj janë të dobishme. Besëtytnia se thithëlopa thith qumështin e lopës nuk është e vërtetë. B. me përmasa më të vogla (4.5 cm) janë verorja (Hyla arborea, L.) me ngjyrë të gjelbër që jeton në gjethet e bimëve dhe Bombina variegata (L.) që jeton zakonisht në ujëra të qeta. Disa B. përdoren për ushqim dhe një pjesë eksportohen.
(I. Ha.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Bretkosat