BRIGADA V SULMUESE E UNÇSH


BRIGADA V SULMUESE E UNÇSH
✤ Hero i Popullit. U përurua më 20.1.1944 në Bramushje të Tërbaçit, rrethi i Vlorës duke pasur një efektiv prej 960 partizanë të rreshtuar në 5 batalione. Bërthma e saj prej tri batalionesh ishte krijuar që më 28.11.1943 në fshatin Gumenicë të Vlorës dhe ishte angazhuar në luftime për të thyer Operacionin gjerman «Bergkessel» në luginën e Shushicës (shih), ku u vra edhe komandanti i saj Abaz Shehu (shih). Formimi i kësaj Br. përbën ngjarje me rëndësi në historinë e Luftës dhe të Ushtrisë NÇ. Br. V S ka zhvilluar qindra luftime e goditje mbi armiqtë e tradhtarët, më të rëndësishmet qenë: luftimet gjatë Mësymjes së përgjithshme armike të dimrit 1943-1944 (shih), nga 27.1. deri më 20.2.1944, në zonën Mesaplik-Kurvelesh-Salari; luftimet për mbrojtjen e Kongresit ANÇ të Përmetit; luftimet e ashpra, në bashkëveprim me brigadat e tjera të rreshtuara bashkë me të në D I S, për thyerjen e Mësymjes së përgjithshme armike të qershorit 1944 (shih) në luginën e Tomoricës, siç janë ato të Qafës së Gjarpërit e të Gurit të Prerë, të Shëmbërdhejt dhe Qafë-Dardhës, më 6-10.5.1944. Me kalimin e D I S në Shqipërinë e Mesme e të Veriut, Br. V S zhvilloi luftime dhe shpartalloi forcat e Legalitetit në Luginën e Shënpalit dhe në krahinën e Matit (Burrel, Macukull). Në bashkëveprim me repartet partizane të Dibrës dhe Br. IV S (shih) çliroi qytetin e Peshkopisë dhe gjithë krahinën e Dibrës. Gjatë muajit gusht theu të gjitha përpjekjet e armikut për të pushtuar qytetin e Peshkopisë. Më 3 shtator, në bashkëveprim me forcat e Br. XVIII S çliroi qytetin e Dibrës. Në bashkëveprim me forcat partizane të Lumës shpartalloi bandat mercenare të Muharrem Bajraktarit, çliroi krahinën e Lumës dhe mbajti nën goditje të vazhdueshme rrugën Kukës-Prizren. Në bashkëveprim me forcat partizane të Tropojës dhe me Batalionin «Perlat Rexhepi» (shih) shpartalloi forcat e Gani Kryeziut dhe kapi tradhtarin e Partisë Zai Fundo.

Më 1 tetor, së bashku me Br. III S (shih), kaloi në Kosovë për të ndihmuar vëilezërit kosovarë dhe popujt e Jugosllavisë të çliroheshin nga robëria fashiste. Në bashkëveprim me brigadën I e IV kosovare dhe Br. III S të UNÇSH çliroi pjesën P të Kosovës, si dhe qytetet Gjakovë (më 10 nëntor) dhe Prizren (më 17 nëntor 1944). Gjatë qëndrimit në krahinën e Kosovës, ajo e shtoi efektivin e saj me vullnetarë kosovarë deri në 2000 partizanë, krijoi dhe baterinë e artilerisë malore me 6 gryka zjarri 75/13 mm, të kapura armikut në Prizren. Më 25 nëntor ajo u rreshtua në D V S (shih) dhe së bashku me brigadat e tjera të këtij divizioni dhe forcat e Br. XXI-të të D XXXVII të UNÇJ zhvilloi luftime dhe çliroi krahinën e Sanxhakut dhe qytetet e tij Seniç, Priepolje e Priboj.

Gjatë luftimeve të zhvilluara Br. V S i ka shkaktuar armikut mijëra të vrarë, të plagosur e robër. Nga radhët e saj ranë në fushën e luftës mbi 350 partizanë, midis tyre Abaz Shehu, Dervish Hekali, Kastriot Muço, Zaho Koka, Zonja Çurre, Laze Nuro Ferraj, Llambro Andoni, Hysen Çino, Nimete Progonati, (Heronj të Popullit) etj. Rol të rëndësishëm në kryerjen me lavdi të detyrave të saj luajtën komisari i saj politik Hysni Kapo (shih), komandanti Shefqet Peçi dhe zëvendëskomisari Manush Myftiu (shih). Brigada botonte organin e saj luftarak «Buçitja». (B. I.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Brigada V Sulmuese E Unçsh


[cite]