BRONKET

Pjesa e fundit e trakesë ndahet në dy tuba më të hollë, çdo njëri prej të cilëve shkon te njëra nga mushkëritë. Këto janë bronket e mëdha. Të dyja bronket nuk janë të njëllojta: bronku i djathtë është më i shkurtër dhe më i gjerë, ndërsa bronku i majtë është pak më i ngushtë dhe më i gjatë. Edhe bronket e mëdha, ashtu si trakea, janë tuba muskulorë të veshur nga jashtë me unaza kërcore. Ato shërbejnë që ajrin, i cili vjen nëpër trake, ta shpien deri në mushkëri.

Bronket e mëdha, pasi futën në zonën e mushkërive, fillojnë të ndahen në bronke më të ngushta. Degët bronkiale që dalin nga bronket e mëdha, degëzohen në vetvete në degë të tjera më të vogla, lindin kështu degë të dyta, të treta e me radhë. Si rrjedhim i këtij degëzimi, që është i ngjashëm me degëzimin e një peme, formohet ajo që quhet pema bronkiale. Degëzat më të holla të kësaj ndarjeje quhen bronkiole. Këto janë gypa të vegjël e shumë të ngushtë, me diametër 0.5 mm. Çdo bronkiol përfundon te një hojëz mushkërore.

Trupi — Ynë

[cite]