BUTAKËT


BUTAKËT
✤ (Moluskët), Kafshë të vogia jokërbishtore, me trup të butë, të pasegmentuar, zakonisht të mbuluar me guackë, e të përbërë nga tri pjesë: koka, trungu e këmbët. Është një tip i madh i botës shtazore, i përbërë nga 7 klasa, 5 prej tyre (poliplakoferët, gasteropodët, skafopodët, bivalvorët e qefalopodët) janë të përfaqësuara edhe në Shqipëri. Poliplakoferët, skafopodët e qefalopodët jetojnë në det, bivalvorët në det dhe në ujëra të ëmbla, ndërsa gasteropodët edhe në tokë. B. në përgjithësi jetojnë të ngulur në një vend ose hapin galeri në rërë, në gurë e drurë me përjashtim të qefalopodëve që notojnë. Format fosile kanë rëndësi të madhe në paleontogji (shih).

Disa nga B. si midhja (shih), oktapodët, kallamarët, sepiet, kërmijtë përdoren si ushqim për njerëzit. Ligavecët (Limex, Agrolimex) mund t’u shkaktojnë dëme kulturave bujqësore, ndërsa bivalvori Teredo dëmton, duke i shpuar pjesët e drunjta të zhytura në ujë. Disa nga kërmijtë gasteropodë shërbejnë si bujtarë ndërmjetës për disa krimba parazitarë. Bregdeti shqiptar është i pasur me Iloje gasteropodësh e bivalvorësh që kanë vlera ushqimore. Studime janë bërë për gasteropodët tokësorë dhe të ujërave të ëmbla e më pak bivalvorët detarë.

(L. Gj.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Butakët


[cite]