DESPOTATI SHQIPTAR I ARTËS
✤ Formacion shtetëror feudal i gjysmës së dytë të shek. XIV dhe i fillimit të shek. XV. Pas dështimit të përpjekjes së fundit të feudalëve bizantinë për të dëbuar shqiptarët nga krahinat e Epirit, të Etolisë dhe Akarnanisë (shih Beteja e Akelout), në këto krahina u vendos pushteti i dy sundimtarëve feudalë të dalë nga gjiri i popullsisë shqiptare vendase: Gjin Bua Shpata (shih) si zot i krahinave të Akelout dhe Angjelokastrës në Etoli dhe Pjetër Ljosha (shih) si zoti i krahinave të Artës dhe Rogit në Akarnani. Rreziku që pas vdekjes së P. Ljoshës, (1374) të rivendosej pushteti i feudalëve bizantinë të dëbuar, i shtyu feudalët shqiptarë të këtyre krahinave të bashkohen rreth Gjin Bua Shpatës, duke e njohur si kryezot. Bashkimi i territoreve që nga 1. Kalamas në Çamëri deri afër Gjirit të Korintit, krijoi një shtet të fuqishëm me qendër në Artë, në përbërjen e të cilit hynë një varg qytetesh me të ardhura të mëdha. Rëndësia e këtij shteti pasqyrohej edhe ne titullin e lartë të hierarkisë bizantine «despot» që mori Gjin Bua Shpata. Thuajse gjatë gjithë ekzistencës së tij, D. SH. i. A. u gjend në luftë me Thoma Preljuboviçin, despotin serb të Janinës, i cili për shkak të terrorit të ushtruar ndaj popullsisë shqiptare vendase, mbante emërtimin «shqiptarvrasësi» (alvanoktoni). GjinBuaShpataugjendnjëkohësishtnë luftë edhe me mbretërinë napolitane, një forcë e rëndësishme e së cilës rrethoi më 1379 qytetin e Artës, duke mbajtur forcat e tij kryesore jashtë qytetit, Gjin Bua Shpata mundi t’u shkaktonte këtyre armiqve një disfatë të bujshme. Konflikti me Janinën vazhdoi edhe pas vitit 1384 kur sundimin këtu e mori fisniku fiorentin Esau Buondelmonte, i cili nën presionin e rrethimeve që ndërmori Gjin Bua Shpata kundër Janinës, iu drejtua për ndihmë garnizoneve osmane të Thesalisë. Pas vdekjes së Gjin Bua Shpatës më 1399, sundimi i D. SH të A. kaloi në duart e të vëllait e më vonë të nipave të tij të dobët, që nuk mundën t’i bënin ballë nga njëra anë presionit osman, dhe nga ana tjetër të sundimtarëve frëngj të shtëpisë Toko në Ishullin Qefaloni. I copëzuar në shumë duar, despotati i Artës dhe me të sundimi i feudalëve shqiptarë, mori fund me dorëzimin Tokove të qytetit të Artës në tetor 1416.
(K. Bo.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Despotati Shqiptar I Artës
[cite]