DHIMITRI I ARBËRIT


DHIMITRI I ARBËRIT
✤ Sundimtar i principatës së Arbërit në vitet 1208-1216, pas vdekjes së të vëllait Gjin. I martuar me mbesën e një perandori bizantin. Dh. mbante titujt e lartë të hierarkisë feudale «Arkont i madh», «Panhypersevast», «Gjykatës (sundimtar) i shqiptarëve». Në vitet e sundimit të Dh. principata e Arbërit luajti rol të rëndësishëm. Pas rënies së Perandorisë Bizantine më 1204, Dh. duhej t’u hënte hallë synimeve pushtuese të Venedikut. Për këtë qëllim ai kërkon lidhje me një varg shtetesh fqinje të principatës — me zhupanin e madh Stefan të Rashës, me despotin Mihal Angel Komneni të Epirit, me papën e Romës që ishte në konflikt me Venedikun për zotërimin e pronave kishtare në tokat e dikurshme bizantine. Me këtë politikë ai arriti të përballojë me sukses presionin e Venedikut, i cili pasi kishte shtënë në dorë në kryqëzatën e katërt dukatin e Durrësit, synonte të zgjeronte sundimin e vet në kurriz të tokave të Dh. dhe kishte bërë me vete fqinjin verior të principatës, Gjergjin e Zetës.

Dh. lidhi me qytetin e Raguzës një marrëveshje tregtare, me të cilën u garantonte tregtarëve të këtij qyteti tregti të lirë në det e në tokat e veta. Marrëveshja u nënshkrua nga Dh. dhe nga vasalët e tij; ajo përbën aktin e parë ndërkombëtar të njohur, që ka dalë nga kancelaria e një shteti shqiptar. Me emrin e Dh. lidhen edhe mbishkrimet monumentale latinisht në gurë të Gëziqit në Mirditë. Ato i përkasin një kishe që me sa duket kishte ngritur Dh. për të përjetësuar emrin e vet dhe të familjes si sundimtarë të vendit. Dhimitri vdiq pa lënë trashëgimtar. (I. Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Dhimitri I Arbërit


[cite]