DHOMA E TREGTISË


DHOMA E TREGTISË
✤ Organizatë shoqërore, që ka për detyrë të ndihmojë zhvillimin dhe forcimin e lidhjeve tregtare midis RPSSH dhe shteteve të huaja, të ndihmojë organet tona ekonomike për zhvillimin e përparimin teknik në fushën e prodhimit industrial e bujqësor si dhe të propagandojë e të reklamojë mallrat e destinuara për eksport në tregjet ndërkombëtare. Është krijuar me vendimin e Këshillit të Ministrave dt. 2.8.1958, me qendër në Tiranë.

Dh. T. organizon pjesëmarrjen e vendit tonë në panairet dhe ekspozitat ndërkombëtare; boton revistën «Tregtia e jashtme shqiptare» (shih) në disa gjuhë të huaja, nëpërmjet së cilës dhe botimeve të tjera bën të njohura jashtë shtetit ligjet dhe dispozitat tona tregtare, bankare, të transportit etj.; lëshon certifikata origjinale për mallrat e prodhuara për eksport në RPSSH si dhe vërtetime për rrethanat e forcës madhore. Me anën e arbitrazhit të tregtisë së jashtme të ngritur pranë saj, zgjidh konfliktet tregtare që lindin ndërmjet ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme dhe firmave të huaja. Kryen shërbime tregtare mbi vërtetimin e cilësisë dhe të sasisë së mallrave, shkëmben mostra dhe bën çdo lloj ekspertize nëpërmjet Albkontrollit (shih). Pranë Dh.T. është hapur një ekspozitë e përhershme «Eksporti shqiptar».

(Th. B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Dhoma E Tregtisë


[cite]