DIELLI
✤ (1909). Gazetë e përjavshme politike, .shoqërore, letrare, kulturore, ekonomike, pedagogjike etj. me lajme e kronika të kohës në gjuhën shqipe, pjesërisht edhe anglisht. Numri i parë doli në Boston, Mass. (SHBA) më 15 shkurt 1909 si organ i «Federatës Panshqiptare të Amerikës VATBA» ku vijon të botohet edhe sot. Në etapën e parë (1909-1924), sidomos në vitet e para, kur botues kishte Fan S. Nolin (shih), «D». u bë një nga tribunat më të rëndësishme të çështjes shqiptare: përkrahu lëvizjen për çlirimin dhe pavarësinë -e Shqipërisë; luftoi kundër synimeve grabitqare të imperialistëve dhe të shovinistëve fqinjë që kërkonin copëtimin e Shqipërisë; demaskoi reaksionin klerikal, propagandoi idenë e bashkimit dhe të organizimit të të gjitha forcave shqiptare në një shtet me një program të përcaktuar politik, ekonomik, kulturor e arsimor sipas modeleve të demokracisë borgjeze. Për shkak të ndalimit nga censura osmane në Shqipëri dhe më pas të kontradiktave të botuesve, «D» disa herësh pati edhe ndërprerje të shkurtra ose doli me tituj të tjerë, si p.sh. Dielli e Flamuri (1910-1911), Flamuri (1910), Purteka (1923), Kombi në rrezik (1923) etj. Për shkak të kontradiktave të brendshme, «D» më 1936 u botua njëkohësisht në dy versione dhe në dy vende të ndryshme (në Boston, Mass. dhe në Detroit, Mich). «D» si gazeta më jetëgjatë e shtypit shqiptar jashtë atdheut gjatë 75 vjetëve të jetës së saj ka ndërruar shumë botues, me bindje dhe pikëpamje të ndryshme politike e ideologjike, e si pasojë ka luhatje të mëdha në qëndrimet ideopolitike. Kështu, «D.» pas v. 1925, duke rënë në pozitat e Faik Konicës, mbajti qëndrim denigrues ndaj Revolucionit të Qershorit të v. 1924. Nga kjo pikëpamje «D» ka pasur zigzage edhe në periudhën e parë (1909-1924). Menjëherë pas Çlirimit, «D.» përshëndeti Shqipërinë e re, përkrahu kërkesën për pranimin e saj në OKB, por më pas kaloi në pozita reaksionare dhe u vu në shërbim të qarqeve armiqësore kundër popullit shqiptar e ndërtimit të socializmit në Shqipëri. (P. D.—P. T.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Dielli
[cite]