DIGA E ZADEJËS


DIGA E ZADEJËS
✤ Diga e parë e lartë me material rrethanor, ndërtuar mbi 1. Drin më 1972. Ka lartësi 60 m dhe gjatësi në kurorë 390 m, me vëllim të përgjithshëm të trupit 3.2 milionë m3. Me të u krijua një rezervuar me vëllim të përgjithshëm prej 580 milionë m3 ujë, që rregullon prurjet e 1. Drin për HEC e Vaut të Dejës (shih) e në të ardhmen edhe për atë të Bushatit.

Faqja e sipërme e digës ka pjerrësi 1:2.75 dhe e poshtmja 1:2.25. Pjesë përbërëse e saj është edhe prita e sipërme e përkohshme 24 m e lartë, ndërtuar me zhavorr dhe me ekran e qilim deltine. Bërthama është ndërtuar me deltinë dhe mbështetet në shtratin e lumit, në një bazament zhavorri të përpunuar me masa të veçanta hidroteknike. Bazamenti u bë i papërshkueshëm nëpërmjet një perdeje në formë muri prej betoni, të ndërtuar me sonda të veçanta me thellësi maksimale rreth 50 m. Ajo vazhdon edhe në nënshtratin shkëmbor me perde çimentimi. Në trupin e digës janë vendosur aparatura matëse për vrojtimet e uljeve të saj e të bazamentit, të presionit të poreve etj.

(J. Ç. — E. GJ. — J. Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Diga E Zadejës


[cite]