DIGAT
✤ Vepra hidroteknike, që vendosen si pritë në një lumë ose rrjedhë ujore për të ngritur nivelin e ujit, për të krijuar një rezervuar ose liqen artificial. D. mund të jenë me ose pa shkarkim të ujërave të mëdha. Janë vepra kryesore në HEC e në sistemet ujitëse. Në HEC D. ndërtohen për të krijuar rezervuarë për rreguilimin e ujërave dhe për krijimin e rënies së plotë të ujit (si D. e HEC «Drita e Partisë») ose të një pjese të saj (si D. e HEC «J. V. Stalin»). Në sistemet për ujitjen D. ndërtohen për të ngritur nivelin e ujit në lumë (si D. e Çengelajt në Shkumbin) ose për të krijuar rezervuar për ujitje. D. ndërtohen me materiaie rrethanore (dhe, zhavorr, gurë) me beton, betonarme e metale dhe janë ‘të tipeve të ndryshme. D. me lartësi deri 15 m quhen të ulëta, 15-30 m mesatare dhe mbi 30 m të larta. D. me materiaie rrethanore kanë marrë një zhvillim të madh vitet e fundit pasi kushtojnë më lirë, ndërtohen më shpejt dhe në kushte nga më të ndryshmet topografike, gjeologjike e klimatike.
Në Shqipëri janë ndërtuar prita e D. që në lashtësi. Një ndër to është D. e Krapsit mbi lumin Gjanicë. Megjithë kushtet e përshtatshme e pasuritë e mëdha ujore të vendit, para çlirimit nuk është ndërtuar asnjë D e madhe. Pas çlirimit me zhvillimin e madh të hidroelektroenergjetikës (shih) dhe të ujitjes (shih) u projektuan dhe u ndërtuan D. të shumta. Deri më sot në Shqipëri janë ndërtuar 83 D. të tipeve të ndryshme me lartësi mbi 15 m me një vëllim të përgjithshëm uji në rezervuaret e tyre prej 38 miliard m3. Për ndërtimin e këtyre D. janë hedhur 710 mijë m3 beton e betonarme dhe 36 milion m3 materiale rrethanore. D. e parë e lartë e ndërtuar në Shqipëri është ajo e Ulzës në HEC «K. Marks» (shih).
Në vendin tonë është fituar përvojë e madhe sidomos në projektimin dhe ndërtimin e D. me materiale rrethanore. Janë ndërtuar tipe të ndryshme si D. homogjene, D. me zhavorr e gurë dhe bërthamë deltine etj. D. më e lartë e ndërtuar deri më sot në Shqipëri është ajo e HEC «Drita e Partisë», D. e Fierzës (shih). Në ndërtim e sipër është D. me ekran betonarmeje e HEC «Enver Hoxha» në Koman (shih).
Për të siguruar papërshkueshmërinë e ujërave në bazamentin dhe shpatullat e D. janë ndërtuar perde çimentimi ose mure betoni me teknologji të veçantë, siç është perdja e çimentimit në D. e Fierzës në HEC «Drita e Partisë», ose perdja me mur betoni në bazamentin e D. së Zadejës (shih) në HEC e Vaut të Dejës. Prej vitit 1964 Shqipëria është anëtare e Komisionit Ndërkombëtar të Digave të Larta.
(J. Ç—E. GJ—J. Z.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Digat