DORËSHKRIMI I KIEUTIT


DORËSHKRIMI I KIEUTIT
✤ (1737). Një nga dëshmitë e para të këngëve popullore arbëreshe. U gjend në Kieuti të Kapitanatës (Itali e J) prej nga mori edhe emrin. Autori i këtij dorëshkrimi njihet N. Filja (shih). Përmban 5 kapituj me shkrime dhe poezi të ndryshme. Në kapit. III, nën titullin «Kenkezë të pleqrijsë», jepen 18 këngë popullore, balada, këngë historike dhe lirike popullore, të cilat i përkasin folklorit të arbëreshëve të Sicilisë. N. Filja i kish mbledhur ato, si duket, në vendlindje, në Mecojuzë, para se të shkonte në Kieuti. U botuan për herë të parë më 1908 në Këngë popullore shqiptare (Canti popolari albanesi, Foggia 1908) nga Mikel Markianoi (shih). U ribotuan më 1961 në vëll. I të serisë «Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar». Shënimet e fundit në «Dorëshkrimin» janë bërë më 1737, vit që mbahet edhe si kohë e datimit të tij.

(Q. H.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Dorëshkrimi I Kieutit


[cite]