DRINI
✤ (Drilon.) Lumi më i madh i Shqipërisë, dhe i gjithë bregdetit L të Adriatikut e Jonit. Ka gjatësi 285 km dhe sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 14173 km2, nga e cila rreth 5873 km! ndodhen brenda territorit të RPSSH. Nga burimi deri në derdhje ka një rënie 685 m, që i përgjigjet një pjerrësie mesatare 2.3%. D. formohet nga bashkimi i dy degëve kryesore: Drinit të Zi (shih) dhe Drinit të Bardhë (shih). Pas bashkimit në Liqenin e Fierzës, D. rrjedh në një shtrat të ngushtë, vende-vende me gryka të thella e të ngushta dhe deri në liqenin e Vaut të Dejës, mbledh ujërat e Valbonës, 1. të Nikajt, 1. të Shalës etj. Pas liqenlt të Vaut të Dejës derdhen 1. i Gjadrit dhe i Kirit. Më parë D. ndahej në dy degë, në afërsi të derdhjes, në atë të Bahçallëkut, e cila derdhej në Bunë dhe në degën e Lezhës, e cila, pasi merrte edhe ujërat e Gjadrit, derdhej në det. Tani ujërat e D. derdhen kryesisht në Bunë (shih).

Pellgu ujëmbledhës i Drinit ka reliev malor me lartësi mesatare 971 m, kurse majat më të larta e kalojnë lartësinë 2500 m. Ai përbëhet kryesisht nga gëlqerorë të karstëzuar, nga shkëmbinj magmatikë e nga flishi. Mbizotërojnë tokat e murrme pyjore, tokat e kafenjta malore dhe tokat livadhore. Duke u shtrirë nga L në P, pellgu i D. përshkon të katër zonat klimatike, në të cilat ndahet territori i Shqipërisë. Mesatarja vjetore e reshjeve është 1200 mm. Në zona të veçanta si p.sh. në Alpet Shqiptare i kalon të 2000 mm. Prandaj D. është lumë ujëshumë. Prurja mesatare shumëvjeçare në derdhje është 352 m3/sek, që përbën rreth 11 miliardë m3 ujë në vit, me një modul rrjedhjeje 24.8 1/sek për km Zona me rrjedhje më të madhe është ndërmjet Fierzës e Vaut të Dejës, ndërsa rrjedhje më të vogël ka pellgu i D. të Bardhë. Në periudhën ujëshumë (nëntor-maj) rrjedh 75-80% e tërë rrjedhjes vjetore, ndërsa në periudhën ujëpakët (korrik-shtator) rrjedh 6-10% e saj. Prurja maksimale natyrore me përsëritje 1 herë në 100 vjet është 6530 m3/sek.

Plotat që formohen në pellgun e D. kanë kryesisht prejardhje nga shiu dhe më pak të përzier nga shiu e bora. Edhe gjatë verës dhe në fillim të vjeshtës, D. ka rrjedhje minimale më të lartë se ajo e lumenjve të tjerë të Shqipërisë, Sasia e lëndëve të ngurta pezull, që transporton C. në det është mesatarisht rreth 13.8 milionë tonë në vit. Temp. e ujërave lëkundet nga 5°C në janar deri 20°C në gusht me një mesatare vjetore prej 12.2°C. Ujërat e D. në përgjithësi kanë mineralizim të ulët mesatarisht 257 mg/1. Mbi D. janë ngritur HEC «Drita e Partisë», ai i Vaut të Dejës dhe është në ndërtim e sipër HEC «Enver Hoxha» në Koman. Sipas skemës së shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit Drin (shih), parashikohet edhe ndërtimi i HEC të Skavicës dhe atij të Bushatit.

(A. Se.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Drini


[cite]