DUNITI
✤ Shkëmb intruziv ultrabazik që përbëhei pothuajse tërësisht nga olivina. Kur është i tjetëruar përmban minerale të serpentinës (krizotil, antigorit, serpofit etj.). Në formë pikëzimesh akcesore përmban pothuajse gjithnjë kromspinelid (2-5%), magnetit dytësor etj. Ka strukturë kristalore-kokrrizore, ngjyrë të gjelbër deri në të verdhë, hiri deri hiri të errët.

Në Shqipëri D. është shumë i përhapur në shkëmbinjtë ultrabazikë dhe përbën masivë mjaft të mëdhenj (Martanesh, Qafë Dardhë, Kalimash) në Zonën e Mirditës, si dhe thjerrëza e deje me përmasa të ndryshme e forma të çrregullta. Përmban magnezium (41-51% MgO) dhe dyoksid silici (39-43% Si02). Në sasi më të vogla përmban okside të hekurit, aluminit etj.

Në D. dhe në ndërthurjet dunit-peridotit (harcburgit) ndodhen vendburimet më të rëndësishme të xeherorëve të kromit në vendin tonë. Nga ndryshimi metamorfik, D. kalon në serpentinit e lloje të serpentinizuara të tij. Kur nuk ka pësuar ndryshime metamorfike, D. përdoret si lëndë e parë për prodhimin e materialeve zjarrduruese. Mund të përdoret edhe për nxjerrjen e magneziumit metalik ose të oksidit të tij. (S.D.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Duniti


[cite]